Elezi njofton për afatet e akreditimit të vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar tri afate për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.

Afati për certifikim fillon më 22 dhjetor, ndërsa përfundon më 15 janar të vitit të ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se për zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021 ishin akredituar rreth 30 mijë vëzhgues, pjesa më e madhe e të cilëve përfaqësonin subjektet politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor.

“Më 22 dhjetor 2024 do të fillojë afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të cilat do të certifikohen nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. Ky afat do të përfundojë më 15 janar 2025. Më 11 janar 2025 do të fillojë afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të organizatave jo-qeveritare, qeveritare, ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja. Ky afat do të përfundojë më 25 janar 2025. Dhe, më 21 janar 2025 do të fillojë afati për aplikim për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare. Ky afat do të përfundojë më 4 shkurt 2025”, njoftoi Elezi.

Elezi njoftoi se KQZ-ja do të përgatisë një program të vëzhgimit të zgjedhjeve për vëzhguesit ndërkombëtar, të cilëve do t’i prezantohet sistemi zgjedhor në Republikën e Kosovës.

“KQZ-ja është anëtare me të drejta të plota e Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-WEB), si dhe ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me shumë institucione të shteteve të ndryshme që merren me organizimin e zgjedhjeve. Aktualisht jemi në fazën e planifikimeve dhe natyrisht se do t’i ftojmë që të vizitojnë Republikën e Kosovës dhe të njihen nga afër me sistemin tonë zgjedhor. Për vëzhguesit ndërkombëtar, do të përgatisim një program njoftues me veçoritë e procesit zgjedhor në vendin tonë”, ka thënë Elezi për Ekonominë Online.

Më tej, Elezi deklaroi se për KQZ-në vëzhgimi i zgjedhjeve është i rëndësisë së veçantë, pasi përmes tij vëzhguesit ndihmojnë në rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor dhe të evidentojnë shkeljet e mundshme.

“Sigurisht se vëzhgimi i zgjedhjeve ka rëndësi të veçantë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasi ka rol në integritetin e procesit zgjedhor dhe është i domosdoshëm për besimin e qytetarëve, por edhe të akterëve të tjerë, në zgjedhje”, u shpreh Elezi.

Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar do të mundë t’i vëzhgojnë Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025 dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen pas ditës së zgjedhjeve në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).