COVID-19 dhe gripi sezonal, IKSHPK-ja apelon për kujdes të shtuar për personat mbi 65 vjeç dhe me sëmundje kronike

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar për kujdes të shtuar për personat me sëmundje kronike, sidomos ata mbi moshën 65 vjeç, duke paralajmëruar se kjo kategori është më e rrezikuar nga komplikimet e mundshme të COVID-19 dhe gripit sezonal.

Në një deklaratë të fundit, IKSHPK-ja ka bërë thirrje për ndjekjen e masave të thjeshta mbrojtëse për të parandaluar sëmundjet respiratore dhe për të ruajtur shëndetin e individëve të cenueshëm.

Instituti rekomandon këto masa:

- Vaksinohuni sapo të keni mundësi.

- Qëndroni në shtëpi nëse ndiheni të sëmurë.

- Mbani maskë në vendet e mbushura me njerëz.

- Lani duart shpesh.

- Ajrosni ambientet e mbyllura.

Mesazhi i IKSHPK-së, nën sloganin #SiVetëmTiMundesh, vjen në kuadër të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik pas pandemisë, me qëllim të mbrojtjes së grupeve të rrezikuara nga sëmundjet e stinës dhe COVID-19.