S’ka fitues në “Old Trafford”, Man Utd dhe Chelsea ndajnë pikët në derbi

Manchester United ka luajtur baras me rezultat 1-1 ndaj Chelseat në kuadër të xhiros së 10-të në Ligën Premier.

Rasti i parë serioz në këtë ndeshje i takoi Chelseat të cilët në minutën e 14-të goditën shtyllën përmes Noni Maduekes.

Në të njëjtin aksion, nga topi i kthyer Levi Colwill nuk arriti që ta çojë topin në rrjetë duke goditur edhe ai shtyllën.

Unitedi në anën tjetër ndonëse u mundua ta kontrollojë këtë ndeshje, për pjesën më të madhe të kësaj pjese nuk krijoi asgjë deri në sekondat e fundit të 45 minutave të para, kur Marcus Rashford goditi traversën.

Në pjesën e dytë kur po zhvillohej minuta e 68-të e takimit, portieri Robert Sanchez shkaktoi një ndërhyrje të palejueshme brenda zonës ndaj Rasmus Hojlund.

I saktë nga pika e bardhë u tregua Bruno Fernandes i cili në minutën e 70-të realizoi për rezultatin 1-0.

Sidoqoftë, ky gëzim i ‘Djajve të Kuq’ nuk zgjati edhe aq shumë pasi mysafirët reaguan pak minuta më vonë me Moises Caicedon (74’) i cili shënoi një gol të bukur për rezultatin 1-1.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më ndonjë rast shënimi dhe të dy ekipet u desh të pajtoheshin me nga një pikë.

Pas javës së dhjetë, Man United shkon në kuotën e 12 pikëve dhe mban pozitën e 13-të në tabelë, teksa Chelsea renditet në pozitën e katërt me 18 sosh./telegrafi