Shoku i heroit flet për periudhën sa ishte në burg Afrim Zhitia

Nga varrezat e dëshmorëve, familjarët dhe shokët e tyre morën rrugën për në vendin ku u vranë nga forcat serbe Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Ata rrëfyen për televizonin momente nga koha që kishin kaluar bashkë me heronjtë.

Rrugën e morën për në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Aty ku edhe ranë dëshmorë heronjtë e kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Të dy u rrethuan në këtë vend dhe pas një lufte disaorëshe që bënë me serbët, u vranë nga dora e këtyre të fundit.

Por kush ishte Afrim Zhitia, tregon Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Shefik Sadiku.

“Afrim Zhitia ka qenë një prej ish të dënuarve politik të cilin e kanë dënuar në moshë shumë të njomë vetëm e vetëm për t’ia rritë dënimin ia kanë rritë edhe moshën. Në vend se me qenë i 65-tës i lindur e kanë vendosur në 61-tën dhe i shqiptohet dënimi me 8 vite burg mandej 4 vite dhe i ka përfundu. E kanë gjyku këtu në Prishtinë mandej e kanë dërgu sikur i transferonin të rinjtë shqiptar për me liru vendin të rinjve tjerë për me i burgos këtu i transferonin nëpër burgjet e Jugosllavisë”, tha Sadiku.

Sadiku tregon se Afrim Zhitia kishte qëndruar në burg bashkë edhe me profesorin e tij.

“Ka qenë edhe profesori i tij Nezir Myrtaj që është dënuar 1981, nxënës e ka pasur Afrimin dhe ai tregonte për nxënësin e vet. Profesori dhe nxënësi kanë qenë së bashku në të njëjtën qeli”, tha ai.

Burgun e kishte ndarë me Afrimin edhe Bejadin Hasani nga Bujanoci.

Ai ishte arrestuar në moshën 17-vjeçare.

“Me Afrimin jemi njohur në burgun e Pozharecit gjatë viteve 80-ta, në 84 kur ka ardhur ai në burg dhe kemi qëndru një kohë të gjatë aty pastaj edhe pas burgut kemi qenë bashkë. Kam shumë kujtime për Afrimin është diçka që nuk përshkruhet me pak fjalë”, tha Hasani.

Në këtë vend, të shtunën u ndanë edhe mirënjohje ndaj familjarëve të dëshmorëve.