A po e lufton Kosova terrorizmin, çfarë thotë Raporti i Progresit për këtë fushë?

Në Raportin e Progresit për luftën kundër terrorizmit, thuhet se korniza ligjore e Kosovës ka nevojë për harmonizim të mëtejshëm. Andaj po shihet e nevojshme ngritja e Qendrës Kombëtare për luftimin e kësaj dukurie.

Korniza ligjore e Kosovës ka nevojë për harmonizim të mëtejshëm në luftën kundër terrorizmit.

Kështu thuhet në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian, nga i cili janë dhënë edhe disa rekomandime.

“Në vitin e ardhshëm, Kosova duhet fokusuar në veçanti: ndryshimin e Ligjit për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit për ta harmonizuar plotësisht me ligjin direktivat përkatëse të BE-së; dhe rritja e numrit të dënimeve përfundimtare për pastrim parash; ngritja e një qendre kombëtare për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, thuhet nga Raporti i Progresit.

Për këtë, avokati Xhevdet Smakiqi po vlerëson se Qeveria ka dështuar në ndryshimin e këtij Ligji.

“Meqenëse kanë kaluar katër vite dhe kjo Qeveri nuk e ka ndryshuar dhe plotësuar ligjin siç kërkohet nga Komisioni Evropian pra nga Raporti i Progresit i bie që edhe këtu kemi një dështim për arsye se Komisioni Evropian po kërkon që ky ligj të ndryshohet dhe të përshtatet për shkak se edhe BE i ndryshon rregulloret i adapton, i përmirëson, i avancon në luftën kundër terrorizmit prandaj Kosova në këtë rast ka ngecur edhe në këtë pikë”, tha Smakiqi.

Kurse nënkoloneli në pension i Policisë, thotë se ngritja e Qendrës Kombëtarë për luftimin e kësaj dukurie, është më se e nevojshme për vendin.

“Unë mendoj se disa shtete të BE-së e kanë këtë qendër edhe ne duhet të kemi qendër të tillë gjithëpërfshirëse kombëtare që ta luftojë këtë dukuri negative, këto vepra penale të cilat në një mënyrë ose tjetër Kosova dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në një trysni nga format e tilla të aktiviteteve dhe krimeve dhe veprave të tilla penale”, tha Refki Morina për Teve1.

Në Raport thuhet se Kosova duhet të qëndrojë vigjilente ndaj kërcënimeve dhe zhvillimeve të reja dhe të rishikojë programet ekzistuese dhe dokumentet strategjike në përputhje me rrethanat.