“Ujqit e natës”, grupi që po tenton krijimin e krizave në veri

Tendencat për të krijuar kriza në katër komunat veriore po dyshohet se po krijohen nga një grup i ashtuquajtur “Ujqit e natës”. Mirëpo, nga Komisioni për Çështje të Sigurisë thanë se ky grup nuk ka potencial për të përshkallëzuar situatën.

Incidentet në komunat veriore të vendit nuk janë të pakta.

Në fund të muajit shtator, cak i një sulmi nga një mjet shpërthyes ishte kjo pompë derivatesh në Zveçan.

E ngjashëm ndodhi para disa ditësh edhe në oborrin e shtëpisë së zyrtares policore nga komuniteti serb.

Teve1 ka mësuar se në katër komunat veriore është duke vepruar një grup i ashtuquajtur “ Ujqit e Natës”, të cilët po tentojnë shkaktimin e krizave përmes frikësimit të qytetarëve.

Nga Komisioni për Çështje të Sigurisë thonë se ky grup nuk ka potencial për ta përshkallëzuar situatën.

“Ka tendencë të zhvillimit të tyre, por janë shumë të parëndësishëm për momentin për arsyeje se kriminelët dhe terroristët ishin të angazhuar dhe që operonin në veri më nuk janë. Sepse policia dhe institucionet tjera të sigurisë janë 24 orë dhe monitorohet çdo rrugë pothuajse në pjesën veriore”, tha anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Mefail Bajqinovci.

Sipas deputetit Bajqinovci, Serbia po tenton të krijojë destabilitet në veri.

“Edhe pse nga Serbia pritet çdoherë, keni raportuar edhe ju keni bërë publike fotografi ku shihen njerëz të cilët janë duke u rekrutuar dhe trajnuar në Kapaonik dhe në pjesë tjera të Serbisë”, tha Bajqinovci.

E nga Policia thonë se situata në terren mbetet delikate edhe për arsye të veprimeve politike.

“Ajo çfarë mund të themi si Polici është se situata vazhdon të jetë e qetë, por delikate, duke marrë parasysh zhvillimet që janë 2 vite e këndej. Nuk ka ndryshuar diçka në aspekt të sigurisë. Situata që ka ndodhur para 1 viti e ka ndryshuar gjendjen për të mirë, por sidoqoftë situata mbetet delikate. Në rast se ndodh diçka nuk mund të bën shumë ndryshime, por edhe nëse ndodh ne jemi këtu për të reaguar”, tha zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

E njohësi i sigurisë, Arben Dashevci e sheh të pamundur ngritjen e tensioneve nga ky grup.

“Po i shohim pra tentativat e tyre në aspektin e jashtëm, kurse në aspektin e brendshëm mendoj unë që situata është nën kontroll dhe këto grupe ose copëza të vogla kriminale nuk do të kenë sukses në Republikën e Kosovës, sepse organet tona të sigurisë janë në vigjilencë të paparë”, tha Dashevci.

Ditë më parë u vendosen afishe të reja në Mitrovicë të Veriut, ku shihej logoja e këtij grupi, me mbishkrimin “Mos u mërzitni, jemi këtu”.