Kurti merr pjesë në shfaqjen e dokumentarit kushtuar Zahir Pajazitit

Pas homazheve dhe pjesëmarrjes në Akademinë Përkujtimore për 35-vjetorin e rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, kryeministri Albin Kurti, sonte mori pjesë në shfaqjen e filmit dokumentar “Pushka e parë e lirisë”, kushtuar ditëlindjes së 62-të, të Heroit Kombëtar Zahir Pajaziti, e cila u mbajt në Sallën e Sporteve “1 Tetori”, në Prishtinë.

“Heronjtë dhe dëshmorët u takojnë brezave dhe etapave të ndryshme historike, por ata shkojnë e përbashkohen te historia moderne e Kosovës, në kapitujt e gjatë dhe me vend qendror të rezistencës dhe qëndresës së armatosur për çlirimin e vendit”, tha kryeministri.

Ai shtoi se Zahir Pajaziti nuk është vetëm emri i një luftëtari si personalitet historik, por edhe emri i një figure, e cila përbashkohet një traditë e tërë luftëtarësh, nga Çeta e Llapit, me Hasan Ramadanin e Ali Ajetin te Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me Bahri Fazliun e Agron Rrahmanin dhe deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.

Duke vlerësuar dokumentarin “Pushka e parë e lirisë,” Kryeministri Kurti tha se profili i Zahir Pajazitit përfaqëson një kapitull autentik dhe të lavdishëm në historinë e Kosovës.

“E kanë mbiquajtur "pushka e parë e lirisë" prej nga edhe titulli i këtij dokumentari, por profili prej luftëtari të paepur i Zahir Pajazitit shkon e shtrihet në një kapitull shumë kompleks, sa të rëndë aq edhe të lavdishëm, por gjithsesi tejet autentik”, deklaroi ai.

Derisa shprehu falënderime për të gjithë ata që kontribuan në krijimin e këtij dokumentari, Kryeministri Kurti vlerësoi që historia e këtij heroi po pasqyrohet për publikun në një trajtë të veçantë dokumentare dhe artistike.