Haxhiu në Tiranë: Diskutime për reformën në drejtësi
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka zhvilluar dy takime të ndara me deputeten Etilda Gjonaj, ish ministre e Drejtësisë, nënkryetare e Komisionit për Integrim dhe nënkryetare e parë e Komisionit për mosdiskrimin dhe barazi në AP të KiE si dhe me deputeten Klotilda Bushka Ferhati, kryetare e Komisionit për çështje ligjore, administratë publike dhe të drejta të njeriut.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, në takim me deputeten Gjonaj, u diskutua rreth progresit të arritur në reformën në drejtësi, sfidat dhe problemet që e kanë përcjellë këtë proces praktikat e mira të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.
“Nga përvoja e saj si ish ministre e Drejtësisë, diskutimi me deputeten Gjonaj ishte dinamik dhe shumë frytdhënës. Ministrja Haxhiu gjatë takimit adresoi edhe hapat e rëndësishëm të Kosovës sa i përket adresimit të rasteve të dhunës në familje, zbatimin e Konventës së Stambollit si dhe veprimet e ndërmarra në fushën e parandalimit, emancipimit dhe adresimit të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, gjatë takimit me kryetaren e Komisionit të ligjeve, Bushka Ferhati, u diskutua rreth bashkëpunimit të shkëlqyer në procese të rëndësishme për Kosovën, sistemin e drejtësisë, Reformën në Drejtësi.
“Ministrja Haxhiu falënderoi Kryetaren e Komisioni të ligjeve, Bushka Ferhati për rekomandimet dhe ndihmën e pakursyer që i ka ofruar Kosovës edhe në raport me nismat për Reformë në sistemin e drejtësisë dhe rrugën për të jetësuar këto nisma sidomos në raport me Komisionin e Venedikut”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se në takim u diskutua edhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dyja vendeve në fushën e profesioneve të lira si dhe implementimin dhe progresin që është shënuar në raport me to.