Haradinaj në Pejë: Anëtarësimi direkt në NATO, shtysë për zhvillimin ekonomik

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-E30, sot ka vizituar Pejën.

AAK në njoftim tha si atje u takua me “figura të rëndësishme lokale” dhe se ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO përmes Planit Aksional nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe një shtysë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, deklaroi Haradinaj.

Gjatë qëndrimit në qytet, Haradinaj shprehu mirënjohje për Prof. Ali Sylqa, duke e cilësuar atë si “një nga shtyllat e AAK-së në qytet”.

“Kontributi i tij në themelimin, zhvillimin dhe forcimin e Aleancës në Pejë, për dekada, meriton respektin e mirënjohjen tonë më të thellë.”

Ndërsa, në stadiumin “Tahir Vokshi” në Brestovik, kandidati për kryeministër u takua me përfaqësuesit e Klubit të Futbollit “FC Besa Peja”, duke theksuar rëndësinë e sportit për rininë kosovare.

“Ky klub nuk është thjesht një ekip sportiv, por një simbol i ringjalljes së traditës pejane të futbollit,” tha Haradinaj, duke nënvizuar rolin e sportit në zhvillimin e komunitetit.