Sot mbahet Konventa e PDK-së
Sot nga ora 18:00, në "Pallatin e Rinisë dhe Sporteve" në Prishtinë do të mbahet Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
PDK njofton se kjo konventë mbahet për Bedri Hamzën kryeministër.
Ndryshe ditë më parë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka ftuar qytetarët t’i bashkohen konventës të shtunën, duke thënë se Hamza do ta rikthejë Kosovën në rrugën e duhur.
“Kjo konventë, nuk është vetëm e PDK-së, por e secilit qytetar, i cili dëshiron ta rikthejë Kosovën në drejtimin e duhur. Garancia jonë dhe e juaja që ta realizojmë me sukses këtë mision, është njeriu i dëshmuar në kohë dhe përgjegjësi të ndryshme, e që kudo ka shkëlqyer me suksesin më të madh: Bedri Hamza. Prandaj, ejani që ta fillojmë këtë rrugëtim të gjithë së bashku!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
PDK së fundi dhe kandidati i saj për kryeministër Bedri Hamza kanë filluar takimet me qytetarë nëpër qytet të ndryshme të Kosovës.