Kurti takon Nussbaumer, theksojnë marrëdhëniet e fuqishme Kosovë-Zvicër
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u mirëprit në Bernë nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer bashkë me deputetin Cedric Wermuth dhe deputetin zviceran me prejardhje shqiptare, Islam Aliaj që janë pjesë e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Zvicër.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se gjatë bashkëbisedimit, Kurti ka theksuar rritjen ekonomike dhe progresin demokratik të Kosovës tri vitet e fundit, duke veçuar edhe vëmendjen e veçantë ndaj sektorit të energjisë.
“Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri e njoftoi z. Nussbaumer për projektin e ardhshëm konkurrues të energjisë së prodhuar me erë prej 150 MW, dhe suksesin e ankandit të parë solar prej 100 MË në të cilin fitues u shpall konzorciumi “Orllati” nga mërgata jonë në Zvicër, bashkë me kompani nga Gjermania dhe Kosova”, thuhet në njoftim.
Në vijim, kryeministri theksoi marrëdhëniet e fuqishme mes Kosovës dhe Zvicrës dhe mundësinë për rritje të mëtejme të shkëmbimit tregtar dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
“U diskutua dhe mbi politikat qeveritare gjithëpërfshirëse, ku kryeministri përmendi ndër të tjera bursat për vajzat dhe gratë në STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, skemat e mbështetjes për nënat lehona dhe fëmijët, rritjen e pagës minimale, rritjen e pagave në sektorin publik dhe të pensioneve, dhe punën në lidhjen e tregut të punësimit me aftësimin professional”, theksohet në njoftimin e ZKM-së.
Kryeministri Kurti theksoi dhe angazhimin e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare ku edhe falënderoi shtetin e Zvicrës për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme.