Feronikeli ’74 tërhiqet nga vendimi për largim nga garat
Klubi drenicas Feronikeli ’74 është tërhequr nga vendimi i djeshëm (e enjte) për largimin nga të gjitha garat e organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Të enjten gjatë pasdites Feronikeli ’74 lëshoi një komunikatë duke konfirmuar tërheqjen nga garat, pasi sipas tyre janë dëmtuar shumë nga gjyqtarët.
Megjithatë, nuk kanë vonuar as 24 orë dhe klubi nga “Rexhep Rexhepi” ka bërë një hap mbrapa, duke u tërhequr nga vendimi i djeshëm .
Është vet presidenti i klubit nga Drenasi, Erlind Krasniqi, i cili ka konfirmuar vendimin gjatë një konferencë për media ta mbajtur në fushën e stadiumit “Rexhep Rexhepi”.
Në anën tjetër, kapiteni i Niklit, Lapidar Lladrovci pati një kërkesë për FFK-në.
“Shpresojmë që FFK të reflektojë, sepse nuk po ndodh vetëm sivjet. Kemi qenë edhe vitin e kaluar një nga skuadrat më të dëmtuara në ligë”, ka thënë Lladrovci.
Ndryshe, Feronikeli ’74 momentalisht zë vendin e fundit në tabelë me vetëm tre pikë nga 11 ndeshje, ndërsa nesër (e shtunë) e pret Ballkanin. /telegrafi