Sveçla përgëzon Policinë për aksionet e fundit, ku u arrestuan disa persona

Policia e Kosovës ditëve të fundit ka zhvilluar disa aksione, ku ka vënë në pranga disa persona për vepra të ndryshme penale.

Për punën e Policisë ka shkruar sot edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili ka përgëzuar institucionin për punën e bërë, transmeton Zeri.info.

“6 të arrestuar për fajde në Prizren e Suharekë, 3 të arrestuar për narkotikë, 1 për arsenal armësh, municion e uniforma në Leposaviq e disa arrestime të personave që ishin në kërkim. Ky është bilanci i një pune të mirë e të jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës vetëm në dy ditët e fundit”.

“I jam mirënjohës secilit pjesëtar policor që me përkushtim e profesionalizëm angazhohet kudo në Republikën tonë për sundim të rendit e ligjit duke bërë të mundur që qytetarët tanë të jetojnë, punojnë e zhvillohen të lirë e të sigurtë dhe larg fenomeneve kriminale që rrezikojnë jetën e tyre. Aksionet e fundit kanë dëshmuar sukses edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës dhe inkurajoj në vazhdimësi një aktivizëm të tillë shoqëror”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka përmendur edhe suspendimin e pesë policëve nga Inspektorati Policor.

“Profesionalizmi i zyrtarëve policorë mbetet kyç, andaj çdo veprim i tejkaluar që dëmton imazhin dhe vlerat e Policisë së Kosovës nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar. Në dy raste të ndara, si shkak i dyshimit të keqtrajtimit të qytetarëve, janë suspenduar 5 zyrtarë policorë”.

“Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve dhe është garanci e sundimit të rendit e ligjit për të gjithë e pa dallim. Ajo është e ngritur mbi vlera demokratike që para se gjithash respekton të drejtat e liritë e njeriut.

Do të vazhdojmë mbështetjen tonë pa kursim për Policinë e Kosovës, sukseset e së cilës jo vetëm që garantojnë siguri për vendin dhe qytetarët tanë, por edhe ngremë lart Republikën tonë”, shkroi ministri i Brendshëm. /Zëri