Albert Dabiqaj, “Ylli i Javës” së 11-të në Superligë

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 11-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Dritës, Albert Dabiqaj, njofton Federata e Futbollit e Kosovës, transmeton "Zëri".

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e njëmbëdhjetë t’i takojë Albert Dabiqajt, i cili ishte lojtari kyç i skuadrës së tij, FC Drita, me dy gola dhe performancë perfekte në fitoren kundër ekipit kryeqytetas, FC Prishtina (3:0).

Pasi mori këtë çmim, Dabiqaj u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “Ndeshja kundër Prishtinës është gjithmonë derbi. Ne po vinim nga tri barazime, por dje me shumë angazhim, sakrificë dhe mund arritëm ta mposhtim Prishtinën, me anën e punës që kemi bërë në stërvitje.

Synimi ynë dihet, të shpallemi kampion dhe nuk kemi asnjë tjetër në mendje. Atmosfera në ekip është e mrekullueshme. Kemi një shtab teknik dhe lojtarë të mrekullueshëm, teksa për kryesimin dihet se sa janë të sinqertë me lojtarët. Të shpallesh më i miri i javës është privilegj dhe kënaqësi. Falënderoj bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve dhe komisionin për vlerësimin. Ky çmim më jep më shumë motiv për ndeshjet e ardhshme”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Zëri