Nënshkruhet marrëveshja, 5.5 milionë euro investime për 785 familje në zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka mbajtur sot ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me komunat përfituese për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumëbanesore sociale”.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe komunave përkatëse. Granti investiv nga FKEE-ja mbulon 90% të investimit, ndërsa pjesëmarrja financiare e komunave është 10% e vlerës totale të investimit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se komunat që do të përfitojnë janë Prishtina, Skenderaj, Klina, Drenasi, Gjilani, Vitia, Kamenica, Obiliqi, Istogu dhe Malisheva.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se 785 familje në nevojë, ose rreth 3400 qytetarë, do të kenë kushte më të mira jetese pasi 22 banesa sociale ku jetojnë, përmes investimit prej 5.5 milionë eurove do të kenë:
- Izolimin e kulmit,
- Izolimin e mureve,
- Dyer e dritare të reja,
- Sistemin e ngrohjes për secilën familje,
- Renovimin e hyrjeve,
- Sistemin e interfonisë,
- Masat për mbrojtje kundër zjarrit dhe detektorët e tymit.
“Nga të gjitha projektet e investimet që janë bërë gjatë këtij mandati, e që po nisim këtë mandat që të bëhen përgjatë viteve në sektorin e energjisë, për mua ky është më i veçanti sepse prek direkt shtresat e cenueshme të shoqërisë, të cilat kurrë më herët nuk janë trajtuar me kujdesin e duhur”, ka theksuar ministrja Rizvanolli dhe ka falënderuar Bashkimin Evropian për përkrahjen financiare për këtë projekt dhe komunat për bashkëfinancim të projektit. /Zëri