Saga e përgjakshme Lici-Bajri, përplasja mes dy fiseve që prodhuan mbi 20 viktima në Shkodër

Një luftë e ashpër mes dy fiseve të njohura në Shkodër kanë prodhuar në 10 vjetët e fundit mbi 20 viktima.

Atentate mafioze, shpërthime me tritol, pengmarrje, gjobvënie dhe vrasjet kanë karakterizuar Shkodrën, ku protagonistë janë fisi Lici dhe Bajri.

Përplasja mes tyre daton më herët, por në rend kronologjik, që nga viti 2017, nis edhe lufta më e ashpër me eliminime të stilit mafioz, raporton Euronews Albania.

Janar 2018 – atentat me tritol ndaj Lulzim Kullës

Në janar të vitit 2018, një shpërthim i telekomanduar në lagjen "Rus" të Shkodrës, la pas 8 të plagosur, mes tyre kalimtarë të rastit, por edhe vetë objektivin e sulmit, Lulzim Kulla. Ky I fundit është kunati I Fatbardh Licit, njëri prej shtyllave të familjes Lici.

Qershor 2018 – vritet me plumb pas koke Mehdi Kavaja

Pak muaj më vonë, vjen edhe vrasja e Mehdi Kavajës, një zanatçi i bravave të dyerve qëllohet me plumb në kokë ne vendin e tij të punës. Ekzekutimi dyshohet se u krye për hakmarrje.

Korrik 2018 – vritet polici Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci

Një mëngjes korriku të atij viti, ekzekutohet me pistoletë silenciator polici Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij, Silvi Ndoci brenda automjetit të tyre. Fatmirësisht plumbat kursyen fëmijën e tyre 3 vjeç. Bërçana përflitej për lidhjet me grupin Bajri dhe dyshohet se u ekzekutua se mori pjesë ne atentatin ndaj Lulzim Kullës.

Gusht 2018 – ekzekutohet me kallashnikov Fatbardh Lici

Pa kaluar 1 muaj, duket se hakmarrja do të godiste familjen Lici. Njëri prej vëllezërve, Fatbardh Lici ekzekutohet pak metra larg shtëpisë teksa pinte kafen e mëngjesit. Kjo ishte një goditje e rëndë për fisin Lici, pasi Fatbardhi kishte peshë në vendimmarrje.

Gusht 2018 – zhduken Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa

Eleminimiet ndryshojnë mënyrë, pasi në javën e fundit të gushtit 2018 zhduken pa gjurmë nip dhe dajë, përkatësisht Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende. Sipas informacioneve të policisë, ata njiheshin për lidhjet që kishin me familjen Lici.

Shtator 2018 – vritet Arjan Ferracaku

Ardhja e vjeshtës nuk e kishte ulur vigjilencën e bandave që kërkonin kokat e njëri tjetrit, por I rradhës ishte Arjan Ferracaku, një djalë i apasionuar pas kuajve. 30-vjeçari u ekzekutua me plumb në kokë në zonën e Livadheve, duke u bërë kurban I zinxhirit të hakmarrjes mes dy fiseve.

Nëntor 2018 – vritet Fatos Ferracaku

Plumbat e hakmarrjes nuk kursyen as kushëririn e Arjan Ferracakut, Fatosin, një shitës ambulant i peshkut në tregun e Shkodrës, i cili u qëllua një mëngjes nëntori teksa mendoi se vrasësi ishte një blerës. Ngjarja shokoi opinionin publik, pasi Fatosi nuk kishte të shkuar kriminale.

Mars 2019 – vriten vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali

Në fund të marsit të vitit 2019, vriten në derën e shtëpisë dy vëllezërit Brahim dhe Astrit Bilali, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit, një person i njohur për drejtësinë dhe i akzuar për disa ngjarje. Fjalët në Shkodrës kishin dalë se Astmeri, dikur kampion boksi ishte bërë pjesë e grupit Bajri.

Shtator 2019 – policia belge arreston disa anëtarë të grupit "Bajri"

Të gjitha ngjarjet e ndodhura kishin rritur në maksimum frikën dhe vigjilencën e dy grupeve. Një pjesë e grupit ‘Bajri’ arrestohen në Belgjikë në mes të shtatorit, aty ku dyshohet se zhvillonin aktivitet të paligjshëm. Këto arrestime duket sikur për pak kohë vunë në qetësi dy fiset në Shkodër.

Përgjatë një vitit, policia e shtetit, nisur edhe nga dosjet që kishin sjellë prokurorët belgë, kryen disa operacione kundër të dy fiseve, duke sekuestruar armë, para, makina të blinduara, por askush nuk përfundoi pas hekurave.

Maj 2021 – vritet Endri Mustafa

Por pas pak muajsh qetësie, vritet në zonën e Livadheve, 32-vjeçari Endri Mustafa, i dënuar më herët për plagosje dhe armëmbajtje. Për vrasjen u akuzua Ibrahim Lici, djali i Mustafa Licit, por prokuroria nuk gjeti prova dhe në fund dënoi një 16-vjeçar me 10 vite burg për vrasje me paramendim. Edhe ky ekzekutim lidhej me hakmarrjen mes fiseve, ku mes të dyve u fut lakua edhe familja Bilali.

Për këtë ngjarje, vetë babai i Ibrahim Licit, foli dhe akuzoi policinë si e korruptuar dhe e përlyer në ngjarjet kriminale

Hetuesit bënë punë tërthorazi për këto ngjarje, ndoshta dhe nga frika, duke mos vënë para drejtësisë thuajse askënd që akuzohej për këtë sagë vrasjesh të përgjakshme.

Pas disa kohësh qetësi, publikohet lajmi bujshëm se në Turqi arrestohet Ibrahim Lici, I njohur si ‘fantazma’ me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Por vetëm pak ditë më vonë, vetë ai shpjegon situatën përmes një audio-mesazhi, ku dhe autoritetet turke refuzuan ekstradimin dhe liruan Licin.

“Skam lidhje me ngjarjen për të cilë akuzohem. Kam dorëzuar telefonin tim në Prokurori”,-u shpreh Ibrahim Lici me një mesazh nga Stambolli.

Tetor 2024 - vritet Hamza Lici dhe Arlind Bushati

Por urrejtja mes fiseve nuk u shua kurre. Pasi më 30 tetor ndodh edhe atentati i fundit ku ekzekutohet djali i vogël i Mustafa Licit, 23-vjeçari Hamza Lici dhe shoku i tij, Arlind Bushati, 32 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidiati i PD për Bashkinë e Shkodrës. Bashkë me dy viktimat që u ekzekutuan në lagjen Dobraç, humbi jetën edhe një shtetase e pafajshme, Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj Bashkim Basha po Lufton me jetën në spitalin e qytetit.

Më herët në javën e dytë të Tetorit, Arlind Bushati kërcënohet në pedonalen e Shkodrës nga dy persona të maskuar mbi motor, gjë që ngre pikëpyetjet se atentati që i mori jetën, mund të ishte edhe në dëm të tij.

Këto janë disa nga ngjarjet e bëra publike mes përplasjeve të dy fiseve në Shkodrës, por pas këtyre fshihen edhe shumë të tjera. Vrasjet e 30 tetorit shtojnë frikën se Shkodrës sapo është ndezur një luftë e ashpër mes dy fiseve, e cila kërkon me patjetër parandalimin nga strukturat e drejtësisë dhe rendit, për ti dhënë fund sagës së përgjakshme mes Licëve dhe Bajrajve.