Selimi: Ambasada jonë në Amerikë s’ka as shofer, Serbia i ka 27 diplomatë veç në Uashington

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ka shprehur kritika ndaj qeverisë “Kurti” për qasjen e saj diplomatike, veçanërisht për mungesën e diplomatëve në ambasadat e Kosovës në vendet kryesore perëndimore dhe mungesën e progresit në arenën ndërkombëtare.

Selimi theksoi se për katër vjet Kosova nuk ka siguruar njohje të reja dhe nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë periudhë si një kohë stagnimi dhe degradimi diplomatik.

“Për katër vjet nuk kemi pasur asnjë njohje. Për katër vej tuk kemi pasur asnjë anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare. Për katër vjet ne jemi shteti i vetëm përpos Rusisë e Bjellorusisë që jemi ende në sanksione të BE-së. Fatkeqësisht për katër vjet kemi pasur shumë pak vizita bilaterale zyrtare nga kryeministri në Uashington”, ka thënë Selimi

Selimi tha se marrëdhëniet me aleatët e mëdhenj, si SHBA-ja, Franca dhe Gjermania, janë përkeqësuar.

Ai përmendi kritikat që kanë ardhur nga sekretari i Shtetit dhe Departamenti i Shtetit ndaj Qeverisë aktuale, si dhe kërcënimet për përjashtim nga Procesi i Berlinit nga Gjermania.

“Kemi pasur shumë tendosje, kemi pasur kritika të ashpra nga Sekretari i Shtetit, Departamenti i Shtetit ndaj neve. Ne iu kemi thënë, Qeveria, jonë që ju jeni ‘naiv’. Pra kemi pas marrëdhënie të turbulluara më Amerikën. Marrëdhëniet të turbulluara me Francë e Gjermaninë. Në një moment erdhi koha, që morën kërcënime nga Gjermania, që do t’ju përjashtojmë nga Procesi i Berlinit. Këto nuk janë fitore diplomatike, nëse nuk na përjashtojnë. Fitore diplomatike është progresi e jo mos përjashtimi”, ka shtuar Selimi.

Një shqetësim tjetër i shprehur nga Selimi ishte mungesa e stafit të nevojshëm në ambasadat e Kosovës në Uashington dhe Londër, të cilat, sipas tij, aktualisht operojnë me vetëm disa persona, ndërsa ambasada në SHBA nuk ka as shofer.

Ai tha se Serbia ka 27 diplomatë vetëm në Washington.

“Tash për tash ku jemi sot, fërkema jonë diplomatike, ndikim jonë, mënyrë e jonë ndërveprimit me aleatët tonë është në nivel, mos të them katastrofale, por në nivelin minimal. Fatkeqësisht diplomacia jonë ka implodu, unë nuk shoh që kemi ndonjë prezencë në Afrikë, në Azi.. pra ju kujtohet më herët, ju mediat i sulmonit ministrat e jashtëm pse s’ka njohje. I numrojshi më rend nëpër gazeta e portale, s’ka ndodhë që një muaj njohje. Epo tash askush s’po e përmend që katër vjet që s’ka njohje, jo që s’ka njohje po ka degradim të marrëdhënieve tona me aleatët tonë…

Isha në Uashington para disa jave që ambasada jonë kishte dy tre persona, as shofer nuk kishte. Ambasada jonë në Londër i ka dy-tre persona. D.m.th. në shtetet e QUINT-it Kosova i ka gjithsej 15 diplomatë, në 5 shtete. Serbia në Uashington i ka çuar 27 diplomatë…”, ka thënë ndër të tjera Selimi në RTV Dukagjini.