“Në emër të ristrukturimit”, FSSHK-ja pritet t’i largojë nga puna gjashtë zyrtarë ligjorë

Gjashtë zyrtarë ligjorë pritet të largohen nga puna pasi Federata Sindikale e Shëndetësisë ka paralajmëruar “ristrukturim” të stafit. Kështu ka thënë për Ekonominë Online përfaqësuesja regjionale e Mitrovicës, Lirie Fazliu-Bajraktari.

Ajo ka thënë largimi i tyre është i padrejtë, ndërsa përmend rolin që e ka kjo sindikatë për punëtorët shëndetësorë. E nga FSSHK-ja kanë treguar arsyet për largim të stafit.

Fazliu-Bajraktari ka thënë se zyrtarët për kundër faktit që kanë kryet të gjitha punët nëpër regjione, “janë larguar padrejtësisht”. Po ashtu, ajo njoftoi se gjatë javës ka dhënë dorëheqje si përfaqësuese regjionale.

“Sot dua të shpreh shqetësimet e mia që i kam pasur që sa kohë, në mbledhjen që e kemi pasur paraprakisht dhe e lëshova mbledhjen është sepse largohet gjashtë zyrtarë ligjor nga e gjithë Kosova të cilët kanë kryer të gjitha punët zyrtarëve nëpër regjione. Ne si Sindikatë e Shëndetësisë jemi për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve e jo për me i larguar punëtorët nga puna. Andaj shprehi shqetësimin tim dhe kam dhënë dorëheqje si përfaqësuese regjionale dhe si kryetare e sindikatës sepse që sa vite punoj, ne jemi për të drejtat e punëtorëve e jo më i largu punëtorët”, ka deklaruar Fazliu-Bajraktari.

Ajo kërkoi të mbrohen të drejtat e secilit punëtorë, pa marrë parasysh a janë shëndetësorë apo jo.

“Kërkesa ime është me u vetëdijesuar popullata dhe me i mbrojtur të drejtat e secilit punëtorë, nëse ne e duam një kësi sindikatë duhet të jetë i përfilltë për të gjithë punëtorët shëndetësorë, pa marrë parasysh se a janë shëndetësor apo jo. Unë do të pres reagime sepse edhe ata janë njerëz dhe mbajnë familje me një rrogë edhe më ka prekur që kur ka punëtorë me vite të tëra që punojnë dhe kanë dhënë kontributin maksimal dhe në fund me u largu prej punës, kjo më prekur shumë”, ka thënë Fazliu-Bajraktari.

Në anën tjetër, kryetarja e FSSHK-së, Tevide Imeri, fillimisht ka mohuar largimin e tyre, e më pastaj thekson se kjo është do të bëhet për riorganizim të stafit.

“Jo nuk është e vërtet kjo nuk e kemi qitë askënd prej pune. Ende nuk ka diçka zyrtarë janë veç bisedime që janë duke u bërë. Me riorganizim të punës e kemi bërë një ndryshim të rregullores, ristrukturim të punës, me siguri që po, por ende nuk është zyrtare”, ka thënë Imeri përmes telefonit.