U vlerësua lart në Raportin e Progresit, ATK-ja: Bëmë përparime të rëndësishme në luftimin e evazionit fiskal

Komision Evropian e ka lansuar gjatë ditës së djeshme Raportin e Progresit 2024 për Kosovën.

Ky raport në kapitullin e 16-të të saj e ka vlerësuar lart Administratën Tatimore të Kosovës.

“Në raport thuhet se ATK-ja ka bërë përparime të rëndësishme në përmbushjen e objektivave të saj për mbledhjen e të hyrave, luftimin e evazionit fiskal dhe përmirësimin e menaxhimit të riskut dhe digjitalizimin e proceseve tatimore. Përkushtimi i ATK-së për të përmirësuar shërbimet dhe për të reformuar proceset tatimore ka ndikuar dukshëm në avancimin e saj drejt një sistemi më efikas dhe të qëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Tutje në raport thuhet se Kosova ka vazhduar të paraqes performancë të mirë në mbledhjen, përforcimin dhe përmbushjen e tatimeve.

“Nga muaji prill 2023 deri në shtator 2024, Administrata Tatimore e Kosovës ka arkëtuar të ardhura prej 1,28 milionë euro ose 14.1% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë”.

Luftimi i evazionit fiskal është një tjetër fokus i rëndësishëm i Administratës Tatimore, i cili po ashtu është vlerësuar nga Raporti i Progresit. Gjithsesi ky vlerësim vjen duke pasur parasysh se ATK-ja ka investuar në teknologji moderne që ndihmon në identifikimin e rasteve të evazionit dhe shmangies tatimore, duke ndërmarrë veprime ligjore për të siguruar që të gjitha bizneset të kontribuojnë ndershmërisht.

“ATK-ja ka kryer 2,939 vizita përmbushëse, kontrolle dhe hetime të rasteve të dyshuara të evazionit fiskal. “Këto aktivitete kanë rezultuar me të hyra shtesë prej 112,7 milionë euro. Sa i përket fushës së menaxhimit të borxheve, ATK-ja po ndjek praktikat më të mira ndërkombëtare RP”, thuhet tutje në deklarimin e Administratës Tatimore.

Tutje në radhët e vlerësimeve për ATK-në, thuhet se gjatë periudhës prill 2023 deri në gusht 2024 Administrata Tatimore ka kryer 1,173 aktivitete që synojnë punën e padeklaruar. Gjatë kësaj kohe janë inspektuar 51 biznese në bashkëpunim me inspektoratin e punës në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar punën e padeklaruar.

“Pjesa e digjitalizimit është e pashmangshme në vlerësim edhe këtë herë, duke qenë në vazhdimësi të fokusuar në krijimin e platformave inovative, të cilat lehtësojnë procedurat tatimore. Raporti në fjalë tregon se “sa i përket kapaciteteve operacionale dhe digjitalizimit, ATK-ja ka vazhduar të bëjë progres në digjitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve, veçanërisht në rritjen e luftës kundër punësimit joformal dhe mosdeklarimit të tatimeve”.

“Ndër pjesët me të ndjeshme të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në menaxhimin e riskut është edhe trajtimi i rasteve për kontroll. Andaj, Raporti i Progresit vlerëson se ‘ATK-ja ka rritur kapacitetin e saj analitik, duke përditësuar të gjithë parametrat e moduleve të analizës së rrezikut, e cila ka rezultuar në një rritje të ndjeshme të kontrolleve të bazuara në rrezik (mbi 80% e të gjitha kontrolleve tatimore)’”.