Projektet infrastrukturore përplasin ministrin Aliu me deputetët e opozitës

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është përplasur me deputetët e opozitës për disa projekte infrastrukturore gjatë seancës së sotme të Kuvendit.

Në fjalën e tij fillimisht Aliu përmendi disa nga projektet infrastrukturore “që po shkojnë sipas planifikimeve”.

“Në masën dërrmuese projektet infrastrukturore janë duke shkuar sipas planifikimeve. Sa i përket rrugës së Podujevës ka qenë rrugë me probleme të shumta nga e kaluara, kemi arritur t’i mbyllim disa prej tyre dhe tani punimet po shkojmë në trendin normal. Së shpejti do të bëhet asfaltimi i katër shiritave rrugorë. Rruga e Mitrovicës është ndër rrugët më problematike që kemi pasur. Rruga është afër përfundimit. Po vazhdojnë punët normalisht me trendin e vetë. Edhe ura e Badocit ka qenë me probleme, projekti është bërë, është bërë me gabime, është përmirësuar, tash po ec me trend të shpejtë. Por kur flasim për rrugën Dollc - Gjakovë dhe për autostradën e Gjilanit, s’ka rrugë që i kam vizituar më shpesh por ka probleme të përditshme. Ka progres me të ngadaltë por ka progres”, ka thënë Aliu.

Por me këtë s’u pajtua deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai ka thënë se në mandatin e qeverisë "Kurti" nuk janë arritur as të mirëmbahen rrugët.

“Rrugët e vjetra që kanë qenë janë bërë të rrezikshme, të pakalueshme sepse s’keni arritur as me i mirëmbajt. Rruga Dollc - Gjakovë në gjithë segmentin e saj edhe me shembjen, tregon se s’ka strategji të punës veç po bëhet sa për të thënë”, ka deklaruar Berisha.

Kritika për rrugën tek ura e Badocit pati deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.

“Rruga tek ura e Badocit sipas jush është dashur qe dy vjet të rregullohet. Edhe rruga e devijuar është e dëmtuar. Se di sa duhet punë për një rrugë 40 metra me rregullu për dy vjet”, ka thënë ajo.

Të dy morën përgjigje nga ministri Aliu.

“Për rrugën Dollc - Gjakovë besoj se një pjesë e vërejtjeve qëndron. Është projekt i trashëguar. Pjesa e Badocit është duke shkuar në trendin normal tani. Progresi është t’u shku brenda trendeve normale”, ka potencuar Aliu.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka hedhur kritika në drejtim të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, për “gjendjen e rëndë në rrugët e Kosovës”.

Lekaj ka thënë se rrugët janë bërë rrugë të vdekjes.

“Më shqetësuese është sot se rrugët e Kosovës janë bërë rrugë të vdekjes dhe ta marrim rrugën për Gjilan. Nuk di se çka thotë ministri Liburn Aliu e zëvendësministri Durmishi dhe si mund të dalin e të krenohen me punën e tyre kur rrugët marrin jetëra. Nuk ka sinjalizim dhe është mjerim i Ministrisë përkatëse. Rruga Dollc-Gjakovë, që shtatë deputetë që vijnë nga Gjakova dhe është turp i kësaj Ministrie se si i ka lënë qytetarët e Gjakovës në ketë gjendje. Besoni se pas një muaji pasi e kanë bërë shtresën e parë, hajdeni dhe shkojmë ta këqyrim se në çfarë gjendje të mjerueshme e kanë lënë. Besoni se më kish ardhë turp me qenë ministër e me ndejt para deputetëve e me i lënë rrugët në atë gjendje”, tha Lekaj.