Nuredin Ibishi pyetet për Enver Sekiraqën, del që ky i fundit kishte deklaruar se ka qenë i ndaluar

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë është kthyer për të vazhduar dëshminë dëshmitari Nuredin Ibishi, i cili është pyetur për Enver Sekiraqën, për të cilin tha se e di që është i arratisur nga drejtësia në Kosovë.

Ndërsa, gjatë seancës u la të kuptohet se Enver Sekiraqa kishte deklaruar se ka qenë i ndaluar gjatë periudhës që parashihet në aktakuzë.

Ibishi pohoi se për ZPS-në gjatë seancës përgatitore ka thënë se e njeh Enver Sekiraqen si një person problematik që prej viteve 1990 dhe se ai është në burg për shkak të një dënimi penal.

Avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra e pyeti dëshmitarin se a ndërlidhet ky rast me rastin e vrasjes së policit, Triumf Riza, por që përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

Tutje, dëshmitari u pyet se a e dinte që ka lajme se Enver Sekiraqa është arratisur në atë kohë kur ai ka qenë në seancë përgatitore me ZPS-në.

“Aq sa kam informacione para se të vijë këtu, ashtu është. Mendoj që është i arratisur”, tha Ibishi.

Më pas, Shyamala i prezantoi dëshmitarit një artikull të një medie, e cila ishte botuar në vitin 2010, pasi Sekiraqa kishte marrë një dënim në vitin 2007 me dënim me burgim.

“Sipas këtij artikulli nga … Enver Sekiraqa konsiderohej figura kryesore e krimit të organizuar në Kosovë që jetonte në Irlandë e që ishte tashmë në listën e të kërkuarve të Interpolit. Dhe sipas këtij artikulli thuhet që ai është dënuar me 36 vjet burg”, tha Shyamala.

Dëshmitari tha se nuk mund ta kualifikojë si person të kërkuar për krim të organizuar, pasi sipas tij është çështje e drejtësisë.

Pas kësaj, avokatja Shyamala kërkoi që të pranohen në prova materiale tre artikuj që flisnin për Enver Sekiraqen. Por, ndërhyri gjyqtari Guenawl Mettraux.

“Përpara se ta bëjmë këtë gjë, cili është synimi për këtë? A po na thoni ju që Enver Sekiraqa është një person i keq dhe nuk duhet të besojmë asgjë që ka thënë ai për parandalimin e tij, burgosjen e tij e të gjitha këto gjëra?”, pyeti Mettraux.

“Këto artikuj konfirmojnë që ai është arratisur nga juridiksioni”, tha Shyamala.

Mettraux i tha avokates se nuk ishte kjo gjëja që po pyet por se pse është i rëndësishëm ky informacion në këto artikuj.

“Sepse ka të bëjë me kredibilitetin, pra besueshmërinë e zotit Sekiraqa”, tha Shyamala.

Kujtojmë se Gjykata Themelore e kishte lënë të mbrohet liri Enver Sekiraqa pasi ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza. Por, pas vendimit të Apelit më 18 maj 2024 Enver Sekiraqa nuk është kthyer në paraburgim por ka arritur të arratiset. Policia të njëjtin nuk e kishte gjetur në shtëpi dhe vazhdon të mbetet në arrati.

Prokurorja Silvia D’Ascoli tha se e kundërshton pranimin e këtyre dokumenteve pasi që nuk e kuptojnë se pse janë të dobishme ato për gjykatën.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se trupi gjykues do të vendos në një rast tjetër lidhur me këto dokumente dhe deri atëherë do t’i jepet numër identifikues.

Fillimisht, Smith dha tre urdhra me gojë. I pari kishte të bënte me riklasifikimin si konfidencial të një urdhri i cili është dhënë në gjykatë së bashku me përkthimet.

Ndërsa, për urdhrin e dytë, tha se ka të bëjë me një dokument për të cilin nuk ka pasur kundërshtime por që nuk kishte përkthime. Tha se meqë janë dorëzuar përkthimet dhe se nuk ka ndonjë kundërshtim këto dokumente do të pranohen.

Prokurorja kërkoi që këtyre dokumenteve t’i shtohet edhe një përkthim i rishikuar, gjë e cila u pranua.

Edhe urdhri i tretë, kishte të bënte me një urdhër të gjykatës që ishte dhënë më 24 tetor 2024 për pranimin e disa dokumenteve që janë dorëzuar nga mbrojtja e viktimave për t’u pranuar.

Gjykatësi tha se mbrojtja e Veselit dhe Thaçit kanë kundërshtuar pranimin e këtyre dokumenteve, por që trupi gjykues ka konstatuar se ky dokument është i rëndësishëm dhe autentik, duke e pranuar si provë.

Ndryshe, në fillim të pjesës së dytë të seancës, Smith tha se edhe avokati i Thaçit, Luka Mishetiq është i pranishëm përmes video-lidhjes. /BetimipërDrejtësi