Musliu-Shoshi flet për humbjen e pasaportave dhe letërnjoftimeve, thotë se skandalet në MPJD s’kanë të ndalur

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka përmendur çështjen e humbjes së pasaportave.

Ajo ka shtruar se aferat dhe skandalet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kanë të ndalur.

“Nga data 2 tetor 2024 kanë humbur 406 pasaporta 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve në postën diplomatike të Republikës së Kosovës”, tha Musliu-Shoshi.

Ajo tutje shtoi se përveç këtij problemi, mërgimtarët janë përballur edhe vonesa të shumta për shkak të mungesës së materialeve për këto dokumente.

“Vonesa të shumta për shkak të mungesës së materialeve kanë qenë mjaft evidente që kanë shkaktuar probleme mërgimtarëve anë e kënd botës. Këto vonesa kishin vetëm një qëllim, aplikimin e kontratave njëburimore nga kjo ministre e papërgjegjshme. Kontratat njëburimore janë hajni”, tha Msuliu-Shoshi.

Partia Demokratike e Kosovës javë më parë ka ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë urgjentisht këtë rast.