Ujkani: Kosova ka arritur progres në përmbushjen e standardeve të BE-së

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se raporti për vendin evidenton përparimin e Kosovës në fusha të rëndësishme që përfshijnë reformat institucionet, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, në seancën plenare u shpreh se Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e standardeve ekonomike dhe të Bashkimit Evropian.

Këto komente Ujkani i bëri në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja nga radhët e LVV-së, Fjolla Ujkani, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shpreh se raporti për vendin tregon për progres në luftën kundër korrupsionit, reformat në administratë publike, kulturë, arsim e punësim.

Deputetja Ujkani theksoi se heqja e masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja karshi Kosovës do të ringjallte dhe përshpejtonte reformat.

E seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një orë vonesë.

Në anën tjetër tri partitë opozitare e kanë kundërshtuar fillimin e seancës pa u hedhur në votim pjesëmarrja e tyre, me arsyetimin se çdo seancë kërkohet të fillojë me votim.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se seanca mund të fillojë edhe pa e konfirmuar kuorumin.