Gërvalla në Kanada, pjesëmarrëse në konferencën për Ukrainën

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, do të marrë pjesë në Konferencën Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes 10-Pikëshe të Ukrainës në Montreal, Kanada

Sipas njoftimit të MPJD-së, pas pjesëmarrjes në Seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shkuar në Kanada, ku po merr pjesë në Konferencën Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes 10-Pikëshe të Ukrainës, raporton Zeri.info.

Kjo konferencë mbahet nga data 30 deri më 31 tetor në Montreal, Kanada.

Sipas njoftimit, konferenca është organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly, në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha.

Po ashtu thuhet se konferenca mbledh ministra të punëve të jashtme nga e gjithë bota për të zhvilluar vizionin e përbashkët për paqe.

Tutje sipas njoftimit të MPJD-së thuhet se synimi kryesor i kësaj konference është të zhvillojë masa konkrete për kthimin e robërve të luftës, civilëve të ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe fëmijëve të deportuar ukrainas në vendin e tyre, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut.

“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin tonë në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme, solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë, si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet”, thuhet në njoftimin e MPJD-së. /Zëri