Një person në Fushë-Kosovë ua vë zjarrin njehsorëve të rrymës në një ndërtesë

Një person në Fushë-Kosovë ua ka vënë zjarrin qëllimisht njehsorëve të rrymës të një ndërtese, duke ua rrezikuar jetën të gjithë banorëve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka njoftuar se i dyshuari tashmë është arrestuar edhe është dërguar në mbajtje.

“Rreth orës 00:30 në rrugën ‘Nëna Terezë’ në Fushë-Kosovë është raportuar një zjarr në njehsorët e rrymës elektrike të një objekti. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ ka identifikuar një person të dyshuar dhe të njëjtin me rekomandimin e prokurorit të Shtetit e ka dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, tha ai.

Ndryshe, në disa pamje që qarkulluan në rrjetet sociale shihet momenti kur një i ri ua vë zjarrin qëllimisht njësorëve të rrymës elektrike.