Prishtina e Gjilani, ende pa buxhet për vitin 2025

Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjilanit ende nuk kanë votuar buxhetin për vitin 2025. Kjo pasi partitë opozitare në të dy këto qytete nuk po pajtohen me draftin e dërguar nga qeverisja lokale.

Madje sipas profesorit universitar Mazllum Baraliu, në këto dy qytete nëse nuk kalon buxheti për vitin 2025, mund të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Që nga muaji shtator draftbuxheti i Prishtinës sillet nëpër sirtarët e objektit të Komunës.

Madje për dy herë radhazi, ky buxheti në muajin e kaluar erdhi edhe në Kuvendin Komunal.

Por nuk mori dritën e gjelbër nga asamblistët e këtij kuvendi.

Nga PDK-ja tregojnë arsyet pse nuk kanë votuar buxhetin komunal.

“Nuk ka sjellje të kryetarit karshi transparencës llogaridhënies edhe përfshirjes se qytetarëve ashtu siç e parasheh ligji dhe këto hapa nuk kemi parë vullnet të kryetarit që të bind asamblistët për të votuar. Ne kemi pasur dy kërkesa që kanë qenë kërkesa ligjore, e para ka qenë se buxheti është sjellë me vonesë ne kemi kërkuar të dimë projektet se çfarë janë përfshirë në atë projekt dhe e treta është përfshirja e qytetarëve”, ka thënë asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Leotrim Retkoceri.

E të premten pritet serish të mbahet një mbledhje ku do të diskutohet për buxhetin komunal.

Por PDK-ja si duket nuk do ta votojë as kësaj radhe.

“Ne kemi parë që është thirr një seancë me një nëntor dhe në atë seancë nuk ka fare reflektim të përmirësimit të draft buxhetit. Ne do ta analizojmë dhe do të bëjmë thirrje kryetarit të komunës që të veprojë në kuadër të ligjit dhe të përfillë qytetarët”, tha ai.

Të njëjtin problem e kanë edhe në Komunën e Gjilanit.

Nga Lidhja Demokratike në Gjilan tregojnë arsyet pse nuk e votojnë këtë buxhet.

“Ne nuk kërkojmë projekte dhe me kushtëzua me projekte e vetëm që dojmë që të jetë një proces i mirëfilltë të përfshihen të gjitha lokalitet të ketë diskutime publike dhe gjithë këtë proces ta udhëheqë komiteti për politikë dhe financa bashkë më drejtorin për buxhet dhe financa”, tha asamblisti i LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu.

E nëse buxheti për vitin 2025 nuk kalon, Prishtina dhe Gjilani rrezikojnë të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme. /Teve1