Hyseni: Rritja e pagave përmbushje e angazhimeve të Qeverisë, s’ka të bëjë me zgjedhje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka thënë se vendimi i Qeverisë për rritje page është moment i rëndësishëm dhe përmbushje e angazhimeve të qeverisë “Kurti”.

Hyseni ka mohuar akuzat e opozitës se ky vendim ndërlidhet me fushatën zgjedhore dhe se sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka ende mandat për të marrë vendime të tilla.

“Unë do ta konsideroja që është një vendim i shumëpritur nga qytetarët e vendit vendimi i rritjes së koeficientit në paga në sektorin publik. Ju e dini që është një numër i madh i njerëzve të vendit të cilët janë të angazhuar në sektorin publik në marrëdhënie pune dhe rritja e të hyrave për familjet e tyre, rritja e pagave të atyre punonjësve, shënon një moment të rëndësishëm të përmbushjes të angazhimeve që ka Qeveria e Kosovës në drejtim të një mirëqenie sa më të mirë për qytetarët”, ka thënë Hyseni për Ekonominë Online.

Deputeti i LVV-së ka thënë se ky vendim nuk duhet të ndërlidhet me caktimin e datës së zgjedhjeve, pasi Qeveria po e bën punën e tij. Ai konsideron se rritja e pagave është në vazhdën e “shumë vendimeve që janë marrë viteve të fundit”.

“Unë i marr sigurisht si pozicione të opozitës këto deklarata që vendimi mund të koincidoj me fushatën e zgjedhjeve që do të mbahen më 9 shkurt, mirëpo ne duhet ta kemi të qartë një gjë Qeveria është në detyrë, Qeveria duhet t’i bëjë detyrat e veta dhe e dini se që nga fillimi është angazhuar maksimalisht, sidomos te pjesa e mirëqenies së qytetarëve të bëjë maksimumin me rritjen e herëpashershme të pagave, me shtesa të cilat janë ndarë për pensionistët, për shtresat dhe kategoritë tjera shoqërore dhe unë mendoj ky vendimi i Qeverisë është vetëm në linjën e shumë vendimeve që janë ndërmarrë viteve të fundit sa i takon ngritjes së nivelit të mirëqenies së qytetarëve”, u shpreh Hyseni, teksa kërkon që përformanca e mirë ekonomike të vazhdojë edhe vitet e ardhshme, për çka nuk dyshon nën udhëheqjen e Albin Kurtit.

“Do të dëshiroja shumë që të kemi përformanca të mira ekonomike edhe në vitet në vazhdim, për çka unë nuk dyshoj aspak në angazhimin e kryeministrit Kurti dhe të komplet qeverisë edhe të shumicës parlamentare dhe qytetarëve të Kosovës vazhdimisht që të kemi mundësi që t’u rrisim koeficientin dhe t’u rrisim buxhetin e tyre familjar me të hyra shtesë, me qëllim që ne në Kosovë të krijojmë rrethana shumë më të lehta për jetesë me një mirëqenie shumë më të mirë”, ka deklaruar Hyseni.