Eksperti i sigurisë, mesazh partive politike: Mos e shpërqendroni AKI-në!

Eksperti për çështje të sigurisë, Avni Islami, u ka bërë sot thirrje partive politike të tregohen të kujdesshme ndaj punës së AKI-së, pas pretendimeve për ndërhyrje në media dhe përcjellje të disa gazetarëve.

Islami, në një postim në Facebookn ka shkruar se drejtori i AKI-së Petrit Ajeti gjatë takimit të sotëm me Komisionin parlamentar, dëshmoi pastërtinë e institucionit që drejton lidhur me akuzat e fundit për ndërhyrje në media dhe përcjellje të disa gazetarëve.

“Me sa pashë në media, drejtori i AKI provoi pastërtinë e institucionit që drejton lidhur me akuzat e fundit për ndërhyrje në media dhe përcjellje të disa gazetarëve. Po ashtu, kryetarja e Komisionit Parlamentar për AKI-në theksoi se edhe nga ana e disa gazetarëve ka pasur sulme ndaj AKI-së. U bëj thirrje partive politike, qoftë në pozitë apo opozitë, të tregojnë kujdes dhe të shmangin shpërqendrimin e punës së AKI-së me çështje politike”, ka shkruar Islami, transmeton Telegrafi.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së kanë lëshuar sot mbledhjen me arsyetimin se ftesa për mbajtjen e kësaj mbledhjeje ishte e kundërligjshme.