Katër të vrarë me armë zjarri në Shkodër

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Dobraç të Shkodrës. Sipas asaj që raporton Klan News katër persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e të shtënave me armë.

Deri më tani nuk dihen motivet e kësaj ngjarje. Drejt skenës së krimit, në zonën e njohur si ish-SMT, ndodhet policia, e cila ka nisur menjëherë hetimet.

Nga vendi i ngjarjes, gazetarja Emi Kalaja raportoi se dyshimet e para janë që kemi të bëjmë me një përplasje mes bandave rivale dhe se viktima kanë mbetur të dyja palët.

Siç duket nga pamjet e siguruara nga Klan News, në trotuar shihet i shtrirë një trup i pajetë. Ndërkohë duket se plumbat janë qëlluar drejt një “Benz”-i, i cili është përplasur më pas me një mur. Megjithatë dinamika e kësaj masakre është ende e paqartë.

Po sipas të dhënave të deritanishme dyshohet se mes viktimave është Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit si dhe Arlind Bushati. Sa i përket viktimave të tjera identitetet e tyre për momentin nuk dihen. Ka raportime se mes viktimave është një kalimtare e rastit, por kjo nuk është e konfirmuar./tvklan.al