Krasniqi për Raportin e Progresit: Raporti më negativ që ka marrë Kosova ndonjëherë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka cilësuar si më negativin ndonjëherë, raportin e Progresit që ka pranuar Kosova sot.

Krasniqi ka përmendur disa mesazhe, që sipas tij, janë të qarta se ky raport është negativ, duke përmendu sanksionet, keq-qeverisjen etj, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë i Krasniqiti:

Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën, për vitin 2024, i cili i është dorëzuar Qeverisë dhë është publikuar sot, është raporti më negativ që ka marrë vendi ynë ndonjëherë.

Mesazhet kryesore që dalin prej tij janë të qarta:

Kosova mbetet nën sanksione!

Kosova është duke u keq-qeverisur!

Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi!

Tri shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet dhe funksion shteti demokratik dhe zhvillimor, janë në stagnim apo regres.

Tri fusha për të cilët është përgjegjëse e vetme Qeveria e Republikës së Kosovës, e për të cilët Partia Demokratike e Kosovës e ka ngritur zërin vazhdimisht gjatë këtyre katër viteve.

Fatkeqësisht, dështimet e Qeverisë së Kosovës, të paraqitura në këtë raport, nuk janë vetëm pasojë e jo-kompetencës dhe paaftësisë së tyre, por janë veprime të qëllimshme, të ndërmarra me vetëdije nga Kryeministri dhe vartësit e tij, si mjete për ruajtjen e pushtetit. Ky është një sabotim i zhvillimit dhe integrimit të vendit.

Raporti është shqetësues dhe alaramues, e të cilit nuk i gëzohet askush, por i cili kërkon vëmendjen dhe reagimin e qytetarëve. Lajmi i vetëm i mirë në këtë mes është se 9 shkurti po afrohet, dhe me të, edhe fundi i kësaj Qeverie.

Qytetarët tanë, shteti ynë, meritojnë më mirë dhe më shumë. Meritojnë një Qeveri të përgjegjshme, e cila do ta rikthej Kosovën në drejtimin e duhur. Tjetër alternativë nuk ka!