Vdes një i burgosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan

Një i burgosur ka vdekur sot në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve ka njoftuar se sot, pas një sëmundjeje të gjatë, ka ndërruar jetë i burgosuri me inicialet M.R.

Ai ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 23.10.2024, në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e një sulmi ishemik në tru një vit më parë dhe po trajtohej në Njësinë Shëndetësore të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

“Më 26.10.2024, me rekomandimin e mjekut të Njësisë Shëndetësore, ai ishte dërguar në Repartin e Neurologjisë të Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku, pas trajtimit, ishte liruar me përmirësim të gjendjes shëndetësore. Gjatë transportit për në Stacionarin e Dubravës, gjendja e tij u përkeqësua, dhe ekipi mjekësor u detyrua ta dërgojë në Spitalin e Istogut. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë rreth orës 19:50; vdekja u konstatua nga mjekët e Spitalit të Istogut”./Zëri