Raporti i IKD-së: Qeveria e Kosovës cenoi aktivitetin sindikal

Gjatë publikimit të raportit të detajuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull “Mungesa e Kontratave Kolektive - Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”, Naim Jakaj, hulumtues i lartë në këtë institut, kritikoi qasjen e Qeverisë ndaj sindikatave.

Jakaj nënvizoi qëndrimet e kundërta të Qeverisë aktuale me premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021.

Sipas Jakajt, Lëvizja Vetëvendosje në opozitë dhe në programin elektoral të vitit 2021 kishte premtuar se do të fuqizonte bashkëpunimin me sindikatat dhe do të ndihmonte në organizimin sindikal në të gjitha nivelet e punësimit.

“Por me ardhjen në pushtet, ata kaluan në një qasje krejtësisht tjetër, duke nisur një luftë ndaj rolit sindikal dhe duke dëmtuar këtë bashkëpunim të rëndësishëm”, tha Jakaj, duke shtuar se kjo qasje ka nxitur pakënaqësi të thella mes punëtorëve dhe sindikalistëve.

Më tutje, ai tha se LVV-ja gjatë legjislaturës VIII, filloi luftimin dhe minimin e bashkimit dhe rolit sindikal, duke vazhduar me nënçmimin dhe injorimin në publik ndaj sindikatave dhe përfaqësuesve të tyre.

“Sindikatat dhe përfaqësuesit e tyre ishin cak i sulmeve të vazhdueshme si nga kryeministri Kurti, ministri Murati dhe eksponentë të partisë në pushtet”, shtoi Jakaj.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), së bashku me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED), të martën (29 tetor 2024) organizuan takim diskutues dhe publikuan raportin: “Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”. /BetimipërDrejtësi