Haradinaj: Kurti po tenton “ta fshehë marren”, Asociacioni të trajtohet seriozisht nga Kushtetuesja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se drafti i statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është i mirë dhe se i njëjti duhet të marrë trajtim serioz nga Gjykata Kushtetuese.

Kreu i AAK-së konsideron se kryeministri Albin Kurti po tenton “ta fshehë marren”, që sipas tij e ka bërë gjatë qeverisjes së tij katërvjeçare.

Haradinaj ka thënë se Asociacioni është pranuar nga krerët e shtetit me letrën e dërguar në Këshillin e Evropës.

“Ndoshta ka folur për Albinin, se Albini po ja imponon se ai e ka pranuar edhe siç e dimë e ka pranuar krejt sistemi politike i Kosovës atë edhe i shkruan Këshillit të Evropës. Pak a shumë kjo nuk është serioze sjellja e tij, si ajo shprehja ‘as asi as ksi’. Nuk është ashtu, për fat të keq vetë qeveria e kryeministri e kanë pranuar. Është e vërtetë që ky draft nuk është i mirë, pra drafti që kemi sot propozim nga BE-ja nuk është i mirë. Ai meriton trajtim serioz nga Gjykata Kushtetuese. Jemi në zgjedhje dhe do që ta fshehin marren edhe ato që i kanë bërë, gabimet që i kanë bërë që e kanë udhëhequr dialogun. I kanë lutur për shumë kohë Amerika pikërisht Konjufcën, Kurtin e këtë që të japin një propozim nuk e kanë dhënë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Ish-kryeministri Haradinaj e ka quajtur pasardhësin e tij si “amator në politikë”, i cili sipas tij për efekt elektoral ka harruar temat madhore.

“Fatkeqësisht tash kemi propozime të BE-së, këta po dëshirojnë që të fshehin këtë faj është faji i tyre realisht. Kurti nuk e ka kuptuar, nuk ka strategji të vetën, ai nuk është strateg, ai shihet që është një amator në politikë. Ai i ka mbivlerësuar këtë fitore ditore për shkak të pak votave i ka harruar sa e rëndësishëm është NATO, çka do të thoshte për Kosovën sikur të anëtarësoheshim në NATO. Do të zgjidhej çështje e sigurisë e rendi dhe ligjit në gjithë Kosovën e në veri, do ta bënim një kthesë të madhe ekonomike, politike të gjithanshme. Gjitha këto zgjedhje të tij kanë shkaktuar shumë pasoja, duke përfshirë edhe sanksionet”, ka thënë Haradinaj.