Sevilla tallet publikisht me Real Madridin për ‘Topin e Artë’, postimi i tyre mori dhjetëra mijëra pëlqime

Administratorët e rrjeteve sociale të klubit të Sevillës njihen për shakatë e shpeshta që bëjnë në faqet zyrtare dhe sot nuk kishin mëshirë ndaj Real Madridit.

Në Tëitter, Sevilla u tall me vendimin e Real Madridit që delegacioni i tij prej 50 personash të mos udhëtonte për në çmimin e Topit të Artë, kur mësuan se Vinicius Junior nuk do ta fitonte çmimin prestigjioz.

Thuhet se Manchester City ka njoftuar Real Madridin se mesfushori i tyre Rodri do të marrë “Topin e Artë” dhe Klubi Mbretëror u ndje aq i ofenduar sa vendosi të mos merrte pjesë fare në ceremoni.

“Lajm i fundit: Admini i faqes sonë nuk do të udhëtojë për në Paris sepse i thanë se nuk do të marrë Topin e Artë”, thuhet në njoftimin e Sevillas, e cila ka mbledhur mijë pëlqime në më pak se një orë.

Për shkak të vendimit të Real Madridit, rreth 50 ulëse në sallë do të jenë bosh sonte në ceremoni dhe mbetet për t’u parë nëse Topi i Artë do t’i shkojë realisht spanjollit Rodrigo, i cili e udhëhoqi kombëtaren spanjolle drejt titullit të Kampionatit Evropian verën e kaluar, si dhe Manchester City për titullin e Ligës Premier. /telegrafi