Bordi i RTK-së e konfirmon: Anulohet konkursi për drejtor të përgjithshëm, Adi Krasta dha dorëheqje

Është anuluar konkursi për drejtor të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, pas një votimi të sotëm në mbledhjen e bordit të transmetuesit publik.

Bordi i RTK-së tha se anëtarët janë përcaktuar kundër hapjes së zarfave për konkursin, dhe se kështu është anuluar procesi”.

“Bordi i RTK-së, në mbledhjen e sotme të tij, ka shqyrtuar pikën e rendit të ditës mbi votimin për hapjen e zarfave për konkursin e drejtor të përgjithshëm. Gjatë diskutimeve, zyrtari ligjor ka sqaruar të gjithë bazën ligjore për të trajtuar këtë proces më tej, duke theksuar se tejkalimi i afatit paraqet bazë për anulimin e konkursit, kjo për të mos cenuar ndonjë të drejtë të aplikuesve ose procesin e rregullt të konkursit. Me këtë rast, anëtarët e Bordit, me shumicë votash, kanë votuar kundër hapjes së zarfave pas kalimit të afatit të përcaktuar, duke anuluar kështu procesin e konkursit për drejtor të përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e bordit.

Bordi i RTK-së konfirmoi edhe dorëheqjen e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Adi Krasta.

“Në këtë mbledhje, gjithashtu, kryetarja njoftoi anëtarët e Bordit se ka pranuar zyrtarisht letrën e dorëheqjes së pakthyeshme të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta, dhe shprehu falënderimet e sinqerta për punën dhe kontributin e tij të vlefshëm në Radio Televizionin e Kosovës. Në veçanti, Bordi e vlerëson përkushtimin e z. Krasta në organizimin dhe zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK”.

Në pikat e rendit të ditës të mbledhjes së sotme të bordit të RTK-së ishte paraparë të miratohen disa procesverbale, të bëhej votimi për “përcaktimin e hapjes së zarfave për konkursin për Drejtor të Përgjithshëm” si dhe të bëhej “hapja e dosjeve të aplikacioneve dhe shqyrtimi i dokumentacionit të aplikueseve për konkursin për Drejtor të Përgjithshëm”.