Kurti i pret në ballkonin e Qeverisë pjesëmarrësit e garave ndërkombëtare të pingpongut, që po zhvillohen në Kosovë

Kryeministri i vendit Albin Kurti së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Daulina Osmani, mirëpritën në Ballkonin e Qeverisë sportistë pjesëmarrës dhe zyrtarë të garës “World Table Tennis” (WTT), “Youth Contender” dhe “WTT Feeder”, të organizuar nga Federata e Pingpongut në Kosovë.

Gjatë bashkëbisedimit, Kurti u uroi sportistëve ndërkombëtarë mirëseardhje në Kosovë dhe i falënderoi të gjithë për rolin dhe kontributin për sportin e pingpongut dhe sportit në përgjithësi, e për rininë në veçanti.

Ai u dëshiroi suksese në gara e përgjatë karrierës së tyre profesionale, teksa i ftoi që të vizitojnë përsëri Kosovën.

Këtë vit në garat e “WTT Youth Contender”, të cilat u zhvilluan nga 24 deri më 27 tetor, morën pjesë sportistë nga 14 shtete. Pingpongisti Imran Duraku zuri vendin e dytë për Kosovën në kategorinë U11. Në kategoritë U15 dhe U19 fitues dolën pingpongistët nga Anglia, Belgjika, Bullgaria dhe Korea e Jugut. Mbrëmë kryeministri Kurti ishte i pranishëm në sallën “1 Tetori”, ku ndoqi nga afër finalet e kësaj gare.

Nga 30 tetori deri më 1 nëntor, po në sallën “1 Tetori” në Prishtinë do të zhvillohet edhe gara e dytë ndërkombëtare e pingpongut, “WTT Feeder Prishtina 2024”, ku do të marrin pjesë sportistë nga 31 shtete.

Kjo është hera e parë që Federata e Pingpongut të Kosovës po organizon garat e WTT-së, që cilësohet si ngjarja më e madhe e pingpongut e organizuar ndonjëherë në vendin tonë.