Sopi thotë se s’ka pasur përçarje politike në mes të UÇK-së dhe LDK-së

Dëshmitari Fatmir Sopi tha se në zonën ku ka vepruar ai nuk ka pasur përçarje politike përpos misionit për luftën çlirimtare.

Këtë deklarim Sopi e bëri kur u pyet nga avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra se a ka pas ndonjë politikë UÇK-ja që ata që ishin në LDK, konsideroheshin kolaboracionistë.

“Në zonën ku kam vepruar unë, nuk ka pas asnjë përçarje politike dhe nuk ka pas asnjë politikë përpos luftës çlirimtare dhe nuk ka pas asnjë mosmarrëveshje politike në mes të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë e kanë pas për parti dhe për politikë luftën e drejtë çlirimtare dhe çlirimin e vendin tonë”, tha dëshmitari.

Sopi tha se është e vërtetë që një pjesë e madhe e anëtarëve të UÇK-së ishin anëtarë të LDK-së në zonën ku ai vepronte.

Pyetje shtesë pati sërish prokurori e po ashtu edhe trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.

Në pyetjet e gjyqtarit, dëshmitari tha se ende është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës për Degën e Prishtinës.

Me kaq përfundoi dëshmia e këtij dëshmitari. Seanca kaloi në pushim për 30 minuta për t’u përgatitur për dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të 99-të.

Sopi: UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, nuk ka mundur të ketë rregull dhe disiplinë

(Përditësuar, ora 13:05) - Dëshmitari Fatmir Sopi tha sot në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte ushtri vullnetare dhe sie tillë nuk ka pasur mundësi të ketë rregull dhe disiplinë.

Këtë deklarim, Sopi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri vullnetare, burimin e kishte në popull. Ishte si rezultat i vuajtjeve shekullore të popullit tonë nën robëri dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është projekti më i madh i shqiptarëve pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e cila me luftën e saj të drejtë dhe çlirimtare fitoi përkrahjen e gjithë botës demokratike, popullit tonë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe shtetet e Bashkimit Evropian. Me luftën e saj të drejtë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri të mundur çlirimin e vendit tonë”, tha Sopi.

Fjala e tij u ndërpre nga kryegjyqtari duke i tërhequr vërejtjen se duhet të përgjigjet shkurt me "po" ose "jo".

Sopi tha se para krijimit të Brigadës 153, e cila ka ndodhur në shkurt të 99-ës, nuk kanë pasur nevojë të marrin urdhra nga dikush, por kanë vepruar në varësi të situatave.

Ai pohoi se ka pasur mundësi që personat që dëshironin të kyçeshin në ushtri t’i blejnë uniformat vetë.

Dëshmitari tha se nuk ka informacione nëse në zonën ku ai ka vepru, dikush ka pasur uniforma të ushtrisë, por që nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka mundur që të ketë rregull dhe disiplinë siç kanë sot ushtritë e NATO-s sepse ajo është bazuar në gjendjen e saj që është vullnetare dhe ushtarët që iu kanë bashkëngjitur asaj janë plotësisht në vullnetin e tyre dhe pa asnjë person nga askush”, tha Sopi.

Dëshmitari tha se ka pasur strukturë të LDK-së në Zllashë, e cila ka pas bashkëpunim të mirë me UÇK-në e në veçanti sidomos në evakuimin e popullatës civile.

Ai tha se përfaqësues i LDK-së ishte vëllai i tij, i cili njëkohësisht ishte edhe pjesë e UÇK-së deri në përfundimin e luftës.

Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtjes së Thaçit për këtë dëshmitar. Mbrojtja e Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokatja Ann Rowan tha se nuk kanë pyetje. Ndërsa, me kundërpyetje vazhdoi mbrojtja e Rexhep Selimit e përfaqësuar nga avokati Eric Tully.

Tully pyeti dëshmitarin për vëllain e tij për të cilin Sopi tha se ai ka qenë përpara lufte, gjatë saj dhe pas përfundimit të saj në LDK.

Pyetjet e Tullyt ishin të shkurtra dhe me pas me pyetje vazhdoi mbrojtja e Jakup Krasniqit e përfaqësuar nga avokatja, Shyamala Alagendra.

Dëshmitari Sopi e quan hero të gjallë Hashim Thaçin

(Përditësuar, ora 12:10) - Gjatë dhënies së dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Fatmir Sopi e ka quajtur hero të gjallë tashmë të akuzuarin nga Specialja, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Ai këtë deklarim e bëri kur iu kërkua nga prokuroria që të identifikojë personat që shiheshin në një fotografi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të nderuarin presidentin tonë-heroin e gjallë, Hashim Thaçin dhe krah tij shoh komandantin tonë të respektuar, Rrustem Mustafën”, tha Sopi duke treguar që në atë fotografi përveç Thaçit dhe Remit, ishte vetë ai dhe Salih Mustafa.

Dëshmitari tha se ka qenë seanca përgatitore kur ai e ka parë për herë të parë këtë fotografi. Ai pohoi se mund të jetë bërë pas kohës së luftës.

Përpara kësaj, atij iu prezantuan disa fotografi e që në njërën prej tyre tha se është vetë ai e krah tij është ulur Salih Mustafa. Ndërsa, tutje tha se të pranishëm në fotografi janë edhe Agron Xhemajli. Kurse, për një person tjetër tha se nuk i kujtohet se kush është.

Në një fotografi tjetër që iu prezantua, dëshmitari identifikoi vetën e tij, Salih Mustafën, Shemsi Sylën dhe Ahmet Isufi.

Dëshmitari tha se nuk e din kohën se kur është shkrepë fotografia si dhe nuk i kujtohet vendi por me siguri tha në Zllashë.

Dëshmitari pohoi se ka pas qendër stërvitje në Zllashë gjatë luftës.

“Po, në shkollën e Zllashit”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se ka dhënë mësim në atë shkollë për tetë vite përpara se të filloj lufta, në kohën kur mësimdhënësit kanë qenë të përjashtuar nga sistemi arsimor për shkak të regjimit.

“Brigada 153, komanda e saj për një kohë bukur të gjatë ka qenë në shtëpinë time”, tha Sopi duke shtuar se kjo brigadë e ka pasur kodin thirrës “Buna” gjatë luftës.

Ai tha se nuk e din se si caktoheshin kodet thirrëse për njësitet e UÇK-së, por që “Buna” ishte kodi i tyre.

Sopi u pyet se a ka pasur persona në Brigadën 153 që të kontaktojnë me mediat.

“Nuk ka pasur persona të caktuar për kontakt me mediat. Jo. Në kuadër të brigadës nuk kemi pasur ndonjë sistem informimi. Normal që s’do të komunikate me mediat sepse nuk kemi pas as kontakt me mediat kurrë.”, tha Sopi.

Sopi tha se kjo brigadë ishte nën përgjegjësinë e Zonës Operative e Llapit. Dëshmitari u pa teksa pohonte kur u pyet se nëse do të kishte zhvillime luftarake nga kjo brigadë, a do të ishte ZO e Llapit ajo që do të komunikonte me mediat.

Dëshmitari tha se në zonën ku ka vepruar ai, nuk kanë pasur mundësinë që të organizojnë mbrojtje civile për arsye që direkt janë inkuadruar në operacione ushtarake.

“Nuk kemi pas hapësirë që të merremi me organizimin e mbrojtjes civile. I vetmi organizim që e ka luajt rolin e mbrojtjes civile dhe furnizimin e Brigadës 153 ka qenë logjistika-sistemi logjistik në krye të cilës ka qenë heroi Ismet Asllani”, tha tutje dëshmitari.

Fatmir Sopi tha se ka qenë në dijeni që ka pasur struktura të mbrojtjes civile në Zonën Operative të Llapit por që nuk ka pasur qasje në sistemin e organizimit të tyre.

Sopi u pyet se a ka luftuar edhe me njësitet e tjera së bashku me njësitin të cilit ai i takonte gjatë luftës.

“Në ofensivën e madhe të 18 prillit 1999 kur forcat e mëdha ushtarako-policore dhe paramilitare kanë sulmu në katër anët njësitet tona dhe popullatën civile e cila ndodhej nën mbrojtjen tonë, në ato luftime janë përfshirë të gjitha njësitet e Brigadës 153, të gjitha njësitet e Zonës Operative që kanë qenë prezent në regjionin tonë, po ashtu kanë marrë pjesë edhe njësitet guerile të BIA-s”, tha Sopi.

Dëshmitarit iu prezantua një dokument duke kërkuar të tregonte nëse njihte personat që ishin përmendur në dokument.

Fatmir Sopi tha se disa prej tyre i njihte por jo të gjithë. Prokurori kërkoi që ky dokument të pranohet në prova materiale gjë të cilën e kundërshtoi mbrojtja.

Kurse, kryetari i trupit gjykues refuzoi pranimin e këtij dokumenti duke shtuar se nuk ka kurrfarë relevance.

“Njësitet e UÇK-së që kanë në kuadër të brigadës 153 kanë qenë nga Gollaku”, tha ndër tjerash dëshmitari.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorisë për këtë dëshmitar si dhe seanca kaloi në pushim për 30 minuta për t’u kthyer me pas me kundërpyetjet e mbrojtjes.

ZPS-ja për Fatmir Sopin: Ishte pjesëtar i UÇK-së, do të flasë për vijat e raportimit në ZO të Llapit

(Përditësuar, ora 11:05) - Cezary Mihailzcuk, i cili përfaqëson Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha se dëshmitari Fatmir Sopi është ish-pjesëtar i Ushtrisë çlirimtarë të Kosovës (UÇK) i cili do të flas sot në Hagë ndër tjerash edhe për vijat e raportimit në Zonën Operative (ZO) të Llapit.

Këtë prokurori e tha gjatë leximit të përmbledhjes për këtë dëshmitar duke shtuar se Sopi ka qenë edhe zëvendëskomandant i Brigadës 153, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Fatmir Sopi u kyç në UÇK në fillim të 98-ës. Ai ka qenë i angazhuar në organizimin e strukturave të UÇK-së në regjionin e Gollakut, brenda Zonës Operative të Llapit he ka qenë person i rëndësishëm në krijimin e Brigadës 153 “Fehmi Lladrovci”. Në shkurt t 1999-ës u emërua si komandant i Brigadës 153, përgjegjës për mbrojtjen e civilëve. Më pas, në mes të prillit 1999, ai u emërua zëvendëskomandant i Brigadës dhe ka marrë pjesë në luftimet kundër forcave serbe. Z. Sopi ka qenë në brigadë si zëvendëskomandant i Brigadës deri në momentin e demobilizimit të UÇK-së në shtator të 1999-ës. Z. Sopi jep informacione lidhur me formimin, strukturën stërvitjen dhe operacionet e brigadës 153, njësive të tjera të UÇK-së që operonin në atë zonë duke përfshirë edhe BIA-në, vijat e raportimit në Zonën Operative të Llapit dhe vendndodhjet e UÇK-së në atë rajon”, tha prokurori.

Përpara kësaj u pranuan në prova materiale të gjitha dëshmitë që dëshmitari i kishte dhënë përpara autoriteteve të drejtësisë.

Në një dokument, prokurori pyeti dëshmitarin se çfarë do të thoshte lartësia 1, 2, 1, 0. Ai tha se fliste për lartësinë mbidetare në fshatin Zllashë ku ishte edhe komanda e Brigadës 153, lartësi kjo që ishte 1210 metra.

Më pas dëshmitarit iu prezantua një video për të cilën ai tha se është xhiruar në lagjen Kolovicë e Re ku ishte i vendosur Shtabi i ZO të Llapit.

Ai tha se kjo video është xhiruar pas përfundimit të luftës dhe hyrjes së forcave të KFOR-it në Prishtinë.

“Kjo çka pash me ngjallë emocione sepse ma kujton zëdhënësin e UÇK-së, njeriun që jepte zë dhe jepte shpirt dhe zemër çdo luftëtari në luftën tonë çlirimtare, të nderuarin Jakup Krasniqi i cili në cilësinë e një ministri, bën një vizitë në Shtabin e Zonës Operative të Llapit”, tha Sopi tutje.

Sopi tha se personi i cili shihet në video duke u përshëndetur me Jakup Krasniqin është komandanti i ZO të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi.

Në prova materiale u pranua video së bashku me materialet përcjellëse.

Dëshmitari tha se komandant të Zonës Operative të Karadakut kanë qenë Ahmet Isufi, ndërsa zëvendës i tij ka qenë Shëmsi Syla.

“Përshëndetje bashkëluftëtarëve të mi”, fillon dëshminë Fatmir Sopi në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës(DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 98-ë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Fatmir Sopi i cili mban kodin W04485 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Përpara se të fillojë betimin solemn, dëshmitari Fatmir Sopi bëri një përshëndetje ndaj katër të akuzuarve duke i quajtur bashkëluftëtarë.

“Përshëndetje bashkëluftëtarëve të mi”, tha Sopi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori Cezary Mihailzcuk.

Ndryshe, sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë. Nga kjo kohë, prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth një orë e gjysmë. Kurse mbrojtja e të akuzuarve rreth tri orë.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Kujtojmë se Fatmir Sopi ka qenë dëshmitar edhe në rastin e Salih Mustafës.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzëën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi