Ndalohet personi i dyshuar në rastin e therjes me thikë në rrugën “Tirana”

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se prokurorja kujdestare dje në mbrëmje nga Policia e Kosovës është njoftuar se në rrugën “Tirana” në Prishtinë ka ndodhur një therje me thikë, ku viktima ka vdekur në vend të ngjarjes.

“Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policorë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të Shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për t’iu bërë autopsia”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.

Po ashtu bëhet e ditur se rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një (1) person.

“Motivet dhe rrethanat e tjera për momentin janë të panjohura, por të njëjtat do të kuptohen gjatë hetimeve të cilat do të zhvillohen nga kjo prokurori.

Brenda afatit ligjor prokurori i Shtetit do të paraqesë pranë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin për këtë rast”, thuhet në njoftimin e PK-së. /Zëri