Banorët e fshatit Dabishec kërkojnë rregullimin e rrugës

Tash e disa vjet, edhe banorët e fshatit Dabishec të Prishtinës, thonë se po përballen me mungesë të infrastrukturës rrugore. Ata kanë kërkuar rregullimin e rrugës, në mënyrë që të mos braktiset fshati. E komuna thotë se nuk mund të intervenojë tani për tani meqë kontrata për zhavorr është ankimuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Pas 43 vitesh qëndrimi në Zvicër, Maliq Maliqi është kthyer të jetojë në fshatin e tij në Dabishec të Prishtinës.

Por rruga e dëmtuar thotë se po ua vështirëson jetesën në këtë fshat.

“Unë jam kthyer që të investoj në vendin tim. Jemi gati 9 shtëpi këtu. Në këtë rrugë nuk ka mundësi tjetër daljeje, pos me traktor”, tha për RTK, Maliq Maliqi, banor.

Edhe Femi Kaleviqi thotë së dëshiron të investojë në vendlindje, porse mos-rregullimi i rrugës po ua pamundëson investimin.

“Unë kam dëshirë të vijë këtu, që të hapë një fermë të dhive, sepse është vend turistik, por shkaku rrugës nuk po kam zgjidhje”, tha Femi Kaleviqi.

Edhe banorë tjerë të fshatit thonë së disa herë i kanë dërguar kërkesë komunës për rregullimin e rrugës “Dëshmorët e Kombit”.

“Nuk është rrugë shumë e gjatë, është diku 2 km. Jemi bllokuar këtu, ne kemi investuar në këtë fshat”, tha Sabri Imeri.

Komuna e Prishtinës në përgjigje me shkrim thotë se kontrata për zhavorr është ankimuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe për momentin komuna nuk ka mundësi të ndërhyjë deri në zgjidhje të rastit. Por në momentin e parë që ka përgjigje pozitive, Komuna premton se do të punojë në ato rrugë ku ka kërkesa, ndër to edhe në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.