Çmimi “Ukë Bytyçi” i ndahet ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj

Komuna e Suharekës ka përkujtuar sot ish-kryetarin e saj Ukë Bytyçin dhe dy shoqëruesit e tij Bafti Bajramin dhe Bajram Bytyqin, të cilët u vranë menjëherë pas fitores së LDK-ës në zgjedhjet lokale në këtë komunë, 22 vjet më parë.

Në Akademinë përkujtimore që u mbajt me këtë rast në Shtëpinë e kulturës emrin e të cilit e mban, kryetari i Suharekës Bali Muharremaj, në mes tjerash ka theksuar: “ Për mua Uka nuk është i vdekur…e shihni këtë sallë sa e madhështore është e mban emrin e tij. Uka n aka frymëzuar çdo herë me punu, me kriju shtetin për gjeneratat që vijnë pas”, thuhet në njoftimin e komunës,

Ndërsa në emër të strukturave politike të LDK-së, për veprimtarinë dhe biografinë e Ukës, ka fol Ardian Shala, kryetar i degës së LDK-së në Suharekë. E në emër të familjes së Ukë Bytyçit, të pranishmit i ka përshëndetur dhe njëkohësisht i ka falënderuar për pjesëmarrje djali i tij Flamuri.

Në Akademi, siç është bërë traditë tashmë, u nda edhe çmimi “Ukë Bytyçi”, që jepet për udhëheqje dhe punë të mirë e që i është ndarë ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj.

Në fund u vunë kurora lulesh nga delegacione të ndryshme te shtatorja e Ukës, mbi varrin e tij në Semetisht dhe në atë të Bajram Bytyqit dhe Bafti Bajramit në fshatin Nishor.