Michelle Obama kritikon Trumpin dhe e quan atë një njeri imoral

Ish-Zonja e Parë e SHBA-së, Michelle Obama, kritikoi ashpër Donald Trumpin në një fjalim të mbajtur të shtunën në qytetin Kalamazoo, Michigan në takimin parazgjedhor të kandidates demokrate për presidente dhe nënpresidentes aktuale të Amerikës Kamala Harris.

Michelle Obama akuzoi ish-presidentin Trump për “paaftësinë e jashtëzakonshme dhe karakter imoral” dhe u bëri thirrje amerikanëve të pavendosur që të zgjedhin Kamala Harris si presidenten e 47-të të Shteteve të Bashkuara

“Të gjithë treguesit konfirmojnë se Kamala është gati. Pyetja e vërtetë është, a jemi ne si vend gati për këtë moment”, tha ish-zonja e parë para një publiku entuziast në Kalamazoo.

Në një kohë kur gara zgjedhore është praktikisht e lidhur, Obama tha se ajo erdhi në Midwest Amerikan duke ndjekur zërin e saj të brendshëm që i tha asaj të “bënte diçka” për të mbështetur kandidaturën e Harris për t’u bërë gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara.

Ajo vuri në dukje se trajtimi i pandemisë së Covid-19 nga Trump dhe përpjekja e tij e dështuar për të mbajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të 2020 duhet të jenë arsye të mjaftueshme që ai të skualifikohet.

Sipas saj, tani njerëzit që ishin bashkëpunëtorët e tij më të afërt gjatë kohës që ai ishte president, ish-këshilltarët dhe zyrtarët e tij në administratën presidenciale, kanë folur me një paralajmërim se Trump nuk duhet të lejohet të kthehet në pushtet.