Autobusi në Meksikë përplaset me rimorkion e kamionit, 24 të vdekur

Një autobus u përmbys në Meksikën qendrore pasi u përplas me një rimorkio që u shkëput nga një kamion që transportonte misër, duke lënë 24 të vdekur dhe duke lënduar pesë të tjerë, thanë autoritetet meksikane.

Përplasja ndodhi mesnatën e së premtes kur autobusi po largohej nga Tepic në shtetin perëndimor të Meksikës Nayarit me destinacion Ciudad Juarez në Meksikën veriore. Të plagosurit po trajtoheshin në një spital në Zacatecas.

Juan Manríquez Moreno, koordinator i Gardës Kombëtare në Zacatecas, tha në një video deklaratë në mediat sociale se rimorkioja e kamionit u shkëput në një autostradë. Autobusi i pasagjerëve u përplas me rimorkio dhe u përmbys në anën e djathtë, raporton Associated Press, transmeton klankosova.

Rodrigo Reyes Mugüerza, sekretari i përgjithshëm i qeverisë në Zacatecas, ndau gjithashtu një deklaratë nga vendi i aksidentit.

“Ne dërgojmë solidaritetin dhe ngushëllimet tona për të gjitha familjet dhe njerëzit që kanë humbur një të dashur në këtë aksident fatkeq,” tha ai.

Ai shtoi se autostrada ku ndodhi përplasja ishte e mbyllur pasi zyrtarët siguruan zonën. Autoritetet thanë se së shpejti do të publikojnë emrat e të të lënduarve që familjet t’i gjejnë ata.