Besimtarët me padurim presin hapjen e Xhamisë në kryeqytet

Falja e namazit në kohët e caktuara, mbushë plotë njerëz, xhamitë e kryeqytetit aq shumë sa të shtrojnë sexhdet edhe në rrugë.

E kjo, mbase nuk do të ndodhë më, pas ndërtimit të Xhamisë Qendrore në lagjen Dardania, pranë postës.

Kjo xhami në kryeqendër që është në ndërtim e sipër do të jetë edhe më e madhja në Kosovë me kapacitet prej 10 mijë vetash në kohën e faljes së namazit.

Punët në ndërtimin e saj, që tashmë veçse ka marrë formën e një amfiteatri, janë duke shkuar me shumë intensitet, e finalja e punimeve sipas Bashkësisë Islame, nuk do të zgjasë edhe shumë ndonëse nuk dhanë ndonjë datë të caktuar. Besimtarët myslimanë me padurim po e presin hapjen e xhamisë më të madhe në vend, njofton klankosova.

Sipas BIK-ut, objekti i xhamisë së re duket se do të jetë një kompleks e më hapësira të shumta përfshirë edhe gastronominë, ambiente për kulturë, arsim e edukimqë janë në shërbim të xhamisë, besimtarëve e qytetarëve përreth. Ndërtimi i Xhamisë Qendrore, po bëhet në bashkëpunim nga Fondacioni i Diyanetit të Turqisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.