Policia: Serbi i ndaluar mbrëmë në veri kishte dëmtuar pronën private të një biznesi

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 26 tetor, rreth orës 02:35, në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut, ka hasur në një qytetar serb nga veriu, M.S., i cili tentonte t’i dëmtojë gjëra dhe pajisje të ndryshme të cilat ishin të rrethuara me rrjetë, e të cilat ishin pronë e një dyqani.

Sipas njoftimit të PK-së thuhet se i dyshuari papritmas ka dëmtuar rrjetën dhe ka hyrë në pronë private, duke dëmtuar gjëra të ndryshme.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, përmes kësaj komunikate zyrtare njofton mediat dhe opinionin e gjerë se, me datën 26.10.2024, rreth orës 02:35, njësia policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare te ura qendrore afër sheshit Car Llazar, ka hasur në personin (M.S.), i cili tentonte të dëmtojë gjera dhe pajisije të ndryshme të cilat ishin të rrethuara me rrjetë (mbyllëse), e të cilat ishin pronë e një dyqani.

Personi i dyshuar pa pritmas ka dëmtuar rrjeten dhe duke kaluar mbi rrjete, ka hyrë në pronë private duke dëmtuar gjera të ndryshme.

Zyrtarët policorë fillimisht kanë kërkuar që personi të ndalojë veprimet e tij, por i njejti duke mos iu bindur urdhrave të zyrtarëve polcorë, ka filluar të përdorë shprehje të ndryshme dhe të ofendojë zyrtarët policorë në gjuhën serbe.

Edhe përkundër tentimeve të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të njejtin ta ndalojnë së vepruari dhe së fyeri, i njejti nuk ka ndaluar dhe nuk iu është bindur urdhrave të ligjshëm policorë, andaj zyrtarë janë detyruar që të njejtin ta arrestojnë dhe ta shoqërojnë në stacion policor.

I njejti dyshohej se ka qenë nën ndikim të alkoolit, ku është provuar t'i bëhet alkool- testi, por i njejti ka refuzuar.

Ndaj të dyshuarit, sipas procedurave të parapara ligjore, policia i ka shqiptuar një kundërvajtje për vandalizëm dhe më pas është liruar.

Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës, për të hetuar pretendimet e ngrituara se kinse zyrtarët policorë kanë keqtrajtuar personin në fjalë.

Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, mbrojtjen e pronës publike dhe private, si dhe trajtimin e të gjithë qytetarëve pa dallim sipas procedurave të parapara ligjore.