Fisnik Asllani me dygolësh mposht Hamburger SV

SV Elversberg (SVE) i ka shkaktuar humbjen e dytë sezonale Hamburger SV (HSV) në Bundesligën e 2-të.

Para 9502 shikuesve, Davie Selke (minuta 6 dhe 83) i shënoi të dy golat për HSV. Për vendësit, dygolësh shënoi Fisnik Asllani i Kosovës (41 dhe 53), Luca Schnellbacher (63) dhe Robin Fellhauer (90+6).

Në minutat e fundit të ndeshjes, mysafirët mbetën pa një lojtar pas ndëshkimit me të kuq për Jonas Meffert, ndërsa edhe ndihmës trajneri Merlin Polzin pati të njëjtin fat, shkruan “Sueddeutsche”.

Skuadra e trajnerit të SVE, Horst Steffen, e nisi lojën me vetbesim, por u fut në telashe herët. Një krosim i parrezikshëm nga Jean-Luc Dompe u pengua nga portieri i Elversbergut, Nicolas Kristof, pikërisht para këmbëve të Selkes. Sulmuesit të Hamburgut iu desh vetëm ta fuste brenda topin.

Nikoqirët u këndellën shpejt pas disavantazhit të hershëm. Në minutën e 24-të, rastin e parë të mirë e pati Lukas Petkov. Goditja e tij për pak sa nuk e gjeti portën e Hamburgut. Asllani më pas doli më mirë, duke befasuar portierin e HSV-së, Daniel Heuer Fernandes.

Skuadrat shkuan baras në pjesën e dytë, ndërsa sulmuesit të kombëtares së Kosovës iu deshën vetëm 6 minuta që ta rikthejë skuadrën e tij në avantazh.

Trajneri i HSV-së, Steffen Baumgart u përpoq t’i kthente gjërat me një zëvendësim të trefishtë. Nuk arriti asgjë, pasi Schnellbacher arriti të dyfishonte epërsinë. Selke ndërkaq shënoi për të ngushtuar rezultatin në 3-2, por Fellhauer përmbylli gjithçka në minutat shtesë.

Gjashtë minuta para fishkëllimës së fundit, gjyqtari Robert Kampka përjashtoi Meffert, i cili veçse kishte një karton të verdhë, pas një faulli taktik. Pak më vonë, edhe ndihmësi i trajnerit të HSV-së, Polzin, u ndëshkua me të kuq.

Skuadra e Asllanit gjendet në pozitën e 6 me 16 pikë nga 10 xhiros, kurse HSV është në të katërtën me 18 pikë.