Asociacioni “patate e nxehtë” për secilën Qeveri, drafti s’mund të dërgohet në Kushtetuese para zgjedhjeve

Pavarësisht se cila parti do të vije në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk do të mund që t’i shmanget themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kështu kanë vlerësuar njohës të çështjeve politike në vend.

Sipas tyre, mosdërgimi i draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Qeverisë aktuale, që së fundi ishte edhe kërkese e ndihmës-sekretarit amerikan James O’Brien, po bëhet me qëllim që mos të humbasin elektoratin. 

Ish-konsulli i Kosovës në Kanada, Donat Syla, i ka  thënë Ekonomia Online, se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare për themelim të Asociacionit daton që nga viti 2013 dhe se e njëjta është duke e përcjell edhe për Qeverinë Kurti.

Ai ka thënë se Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos që të dërgoj draftin e Asociacionit në Kushtetuese, por sipas tij, krahas dërgimit të shikohet se çfarë mund të përfitoj vendi. 

“Është një kërkese e bashkësisë ndërkombëtare që nuk është e sodit, daton që nga viti  2013, përkatësisht vitit 2015 me qeverinë e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, respektivisht kryeministrit Isa Mustafa. Kjo kërkese e bashkësisë ndërkombëtare është duke na përcjell edhe një dekad pas me qeverinë e Albin Kurtit. Mos të harrojmë kemi marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, në të cilën parimisht dy palët, përkatësisht Kosova dhe Serbia janë dakorduar për të zbatuar këtë marrëveshje”.

“Mendoj se ne nuk kemi rrugë tjetër përpos të dërgojmë draftin e Asociacionit në Kushtetuese, gjithmonë krahas dërgimit të shikojmë se çfarë mund të përfitoj Kosova me aleatët tanë amerikan në veçanti dhe të BE-së. Kërkesat e zyrtarëve amerikanë duhet t’i marrim shumë seriozisht, shumë parasysh ndërkohë që të parashtrojmë edhe kërkesat tona karshi tyre në mënyrë që të fuqizojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtare”, ka thënë ai. 

Syla ka thënë se themelimi i Asociacionit është “patatja e nxehtë” që do të ballafaqohet secila Qeveri që vije pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo pasi sipas tij, kjo është kërkesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare për të ecur përpara.

Ai ka theksuar se mos dërgimi i drafti në Kushtetuese është arsyeja kryesore që vendi nuk ka bërë progres për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. 

 “Është e pa shmangshme, do të thotë këtë çështje e kemi në tavolinë si Kosovë, si Qeveri e kemi që nga vitit 2013 që kjo çështje na pret në tavolinë. Ajo ka pësuar disa modifikime, duhet thënë që me zvarritjet ne kemi pësuar regres në përfitimin nga marrëveshja dhe kompromisi që do të bëjmë për asociacion. Para ose pas zgjedhjeve nacionale që do të mbahen është patatja e nxehte secilën Qeveri e cila do të ballafaqohet, kjo është kërkesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare për të ecur përpara”.

“Ka katër vite që ne nuk kemi progres në aderim në asnjë instancë relevante ndërkombëtare dhe një ndër arsyet kyçe është mos bashkëpunimi, mos gatishmëria jonë për të dërguar draftin e statutit të asociacionit në Kushtetuese. Kjo do të thotë se ne nuk mund të ecim tutje pa e bërë një gjë të tillë”, ka thënë ai. 

Analisti politik, Bekim Kabashi, tha se kohët e fundit ka rënë presioni i ShBA-së dhe BE-së ndaj Qeverisë për themelim të Asociacionit, kjo pasi sipas tij, Kosova e po ashtu edhe ShBA-ja janë në prag të zgjedhjeve. 

Kabashi ka thënë se pavarësisht kërkesave të ndërkombëtareve për procedim të draftit të Asociacionit në Kushtetuese, nuk mendon se Qeveria e Kosovës ka ndonjë gjasë që të dërgoj atë para zgjedhjeve. 

“Vizita e të dërguarit amerikanë për O’Brien, deklarimet e tij pas takimit me Kurtin nuk pat diçka të re për arsye se kërkese e bashkësisë ndërkombëtare është prej kohësh procedimi me asociacionin, sidomos pas pranimit nga ana e qeverisë së Kosovës së darftin të Asociacionit dhe dërgimi i tij në Kushtetuese. Ajo çka është e re nga kjo, është se presioni ka filluar që të bije i ShBA-së dhe BE-së ndaj qeverisë së Kosovës se duket që janë koshient që Kosova është në zgjedhje, ShBA-të janë në prag të zgjedhjeve gjithashtu. Perëndimi është më i interesuar për stabilitet dhe të mos të cenohet edhe siguria në rajon, pasi është i orientuar në dy luftëra të mëdha ajo e Rusisë me Ukrainë dhe në lindjen të mesme. Qeveri e Kosovës nuk mendoj që ka ndonjë gjasë që të procedoj me këtë para zgjedhjeve”, ka thënë ai. 

Kabashi ka theksuar se  themelimit të Asociacionit nuk mund t’i shmangemi dhe se presioni për themelim do t’i bije kësaj Qeverie, nëse vazhdon edhe për një mandat ose ndonjë Qeveri tjetër që mund të krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton EO. 

“Është parë që nuk mund të shmanget themelimi i asociacionit që nga marrëveshja e parë që është bërë në Bruksel, pra janë më shumë se një dekad kur Kosova është pajtuar pastaj marrëveshja e 2015, ku bashkësia ndërkombëtare as një herë nuk ka hequr dorë nga Asociacioni pavarësisht që Kosova ka rezistuar të mos e themeloj këtë asociacion. Kompromisi në raport me Serbinë i Kosovës nuk mund të shmanget”.

“Kosova duhet të jap diçka për të mbërri me marr njohjen e Serbisë e cila do të i hapet rrugën Kosovës për me u njohur nga 5 vendeve anëtare të BE-së dhe ndoshta një ditë të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara. Përgjegjësia do ti bije qoftë kësaj qeveri nëse vazhdon edhe për një mandat ose ndonjë qeveri tjetër që vije, por nuk kemi garanci që me mandatin e ardhshëm mund të procedohet me asociacion pasi përvoja ka treguar se qeveri pas qeverie kanë dështuar ta kryejnë këtë obligim ndërkombëtare, i cili është i miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.