Prangosen dy të mitur në Ferizaj, dyshohet se i vunë zjarrin një veture

Një veturë dyshohet se është djegur nga disa persona të panjohur në Ferizaj.

Policia e Kosovës përmes njoftimit ka bërë të ditur, se ka arritur të kap dy të dyshuar, të dy të mitur, dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 24 orë për procedura të mëtejme hetimore.

Ndërkaq sipas policisë, në kërkim mbetet një person tjetër, i dyshuar për cytje në këmbim të parave të zjarrëvënies së veturës, derisa dëmet e shkaktuara në veturë ishin rreth 20 mijë euro.

“Pas një pune intenzive hetimore në terren, shikimit të kamerave të sigurisë , hetuesit rajonal kanë arritur të identifikojnë dy persona të dyshuar : M.B ( M/K) i moshës 16 vjeçar dhe A.Z ( M/K) i moshës 17 vjeçar, të cilët sot me datë 25.10.2024, rreth orës 15:40 janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Në prezencë të avokatit mbrojtës, përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale dhe prindërve të tyre janë intervistuar nga hetuesit rajonal, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 24 orë për procedura të mëtejme hetimore. Gjithashtu është sekuestruar edhe një motoçikletë që dyshohet se është përdorur në rastin e zjarrëvënies. Kurse në kërkim policor mbetet një person tjetër, i dyshuar për cytje në këmbim të parave të zjarrëvënies së veturës”, thuhet në njoftimin e Policisë.