Maqedonci hedh poshtë akuzat e opozitës: Në Ministrinë e Mbrojtjes ka stabilitet

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është përgjigjur se a janë të vërteta pretendimet e opozitës, kinse nuk ka komunikim të mirë brenda kësaj ministrie.

Këtë akuzë, ministri e hodhi poshtë.

“E vërteta është se ka stabilitet, por ka pasur dhe moskuptime, por këto nuk nënkuptojnë përçarje”, tha Maqedonci.

Po ashtu ai ka thënë se modeli i ri për furnizimin me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka nisur dhe shumë shpejtë dhe do të vendoset në funksion.

Ndër të tjera, ai shton se asnjëherë nuk ka munguar ushqimi për ushtarët tanë, e as nuk është përgatitur ushqim diku tjetër pos në kuzhinat e FSK-së.

“Ka shumë aplikime për pozitat e stafit civil për përgatitjen e ushqimit për FSK-në. Tani jemi në procesin e përzgjedhjes. Ky format besoj se do ta zgjidh problemin e vetqëndrueshmërisë së ushqimit. Diçka çka e mendoj se publiku duhet ta dijë, është se pavarësisht që në të kaluarën operatorët kanë fituar tenderët për përgatitjen e ushqimit, ata gjithmonë kanë shfrytëzuar pajisjet e FSK-së për përgatitjen e ushqimit, rryma është paguar nga FSK, po asht dhe gazi, objektet dhe kuzhinat janë të FSK-së, pra çka bëjmë është punësimi i stafit civil”, tha ministri.

“Kemi bërë kontraktimin përmes autoriteti qendror të prokuorimit, kemi vendosur të gjitha procedurat në vend, për t’u furnizuar në vazhdimësi. Punësimi i stafit civil kryhet brenda 30 ditëve, ndërsa është gënjeshtër kur thuhet se ushqimi i FSK-së është përgatitur në Menzën e Studentëve apo diku tjetër. I falënderoj Qendrën Korrektuese të Kosovës dhe Menzën e Studentëve për bashkëpunimin e tyre”, tha ai. /klankosova