MPJD: Operatori shkaktoi vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndërprerë kontratën me operatorin kontraktues pasi ky i fundit s’ka arritur që të realizojë dërgesat diplomatike jashtë vendit sipas afateve të përcaktuara.

Në një përgjigje MPJD-ja njofton se operatori ekonomik për ofrimin e Shërbimeve Postare Diplomatike ka shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve.

“Ju informojmë se operatori ekonomik për ofrimin e Shërbimeve Postare Diplomatike, i cili ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin qershor të këtij viti, ka shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Si pasojë e këtyre vonesave  MPJD thotë se ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, “duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara.

“MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cenojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe në media ishte raportuar se se kanë humbur 400 pasaporta të mërgimtarëve gjatë transportit, por që ministria thotë se ka pasur vetëm vonesa e jo humbje.