Kurti në Ditën Kombëtare të Çekisë: Republika Çeke një nga partnerët tanë më të ngushtë të Kosovës

Kryeministri i Albin Kurti, sot mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Çekisë, në shënim të Ditës Kombëtare të Çekisë.

Kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e madhe kremtimi i Ditës Kombëtare të Republikës Çeke, vend i cili mbetet një nga partnerët tanë më të ngushtë dhe një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, i pari i Qeverisë shprehu mirënjohje veçanërisht për mbështetjen e Çekisë në përpjekjet tona drejt rrugës së integrimit euro-atlantik, derisa Republika Çeke këtë vit shënoi dy dekada të anëtarësimit në BE dhe një çerek shekulli në NATO.

“Republika Çeke mbetet një nga partnerët tanë më të ngushtë dhe një aleat i palëkundur i popullit të Kosovës. I vlerësoj thellësisht marrëdhëniet e forta dhe miqësore mes dy vendeve tona. Jam i kënaqur të shoh duke u forcuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimi ynë dypalësh dhe shumëpalësh përmes ndërveprimeve të shtuara diplomatike dhe ekonomike, si dhe shkëmbimeve midis njerëzve tanë”, u shpreh kryeministri.

Në fjalën e tij, ai veçoi edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën i cili, pas një periudhe të gjatë, mori epilog përfundimtar dhe pozitiv gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Një zhvillim tjetër pozitiv gjatë vitit të fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, kryeministri Kurti e nënvizoi përfaqësimin diplomatik përmes ambasadorëve me të drejta të plota në të dy vendet, gjë që reflekton drejtimin pozitiv në zhvillim të raporteve bilaterale.

Në fund, kryeministri Kurti përsëriti urimet e tij të përzemërta për prosperitet dhe mirëqenie të vazhdueshme për popullin dhe qeverinë e Republikës Çeke, derisa bëri thirrje për bashkëpunim të mëtutjeshëm për paqe, liri dhe solidaritet.